Kryeministri Kurti takoi udhëheqësin e drejtoratit të BMZ, Volker Oel

Rëndësia e impiantit të parë për trajtimin e ujërave të ndotura urbane, i inauguruar sot në Prizren, u vlerësua në takimin ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me z. Volker Oel, udhëheqës i drejtoratit të Ministrisë Federale gjermane për bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik (BMZ).

Ky projekt i mbështetur nga shteti gjerman, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Komuna e Prizrenit, do të lehtësojë sfidat në rritje e sipër, që lidhen me mungesën e ujit në Kosovë, u tha në takim.

Kryeministri Kurti theksoi se krahas stabilitetit institucional, Kosova ka një rritje ekonomike të paprecedentë. Në bazë të projeksioneve dhe statistikave të deritanishme deri në fund të këtij viti Kosova do të ketë rritje dyshifrore. Sipas vlerësimit të Bankës Qendrore të Kosovës, ekonomia jonë do të rritet për 9.9%. Ndërsa krahasuar me vitin paraprak, të hyrat tatimore për periudhën janar – shtator janë rritur për 33%.

Ai veçoi rritjen e besimit të qytetarëve në institucione, që ka ndikuar edhe në rritjen e konsumit dhe shpenzimeve. Po ashtu theksoi që ardhja e mërgatës gjatë stinës së verës ka dhënë një shtysë të madhe.

Z. Oel shprehu mbështetje për qasjen e Qeverisë kundër korrupsionit dhe luftimit të krimit të organizuar, por edhe politikat për të ofruar perspektivë për të rinjtë e Kosovës.

Kryeministri bëri të ditur se Qeveria po ndan fonde për biznese të reja dhe theksoi domosdoshmërinë e investimeve në sistemin dual të arsimit.

U bisedua për Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve (ITP) në Prizren, si një katalizator i rëndësishëm për sektorin e inovacioneve dhe modernizimin e ekonomisë në Kosovë.

Duke folur për Fondin e Ekselencës, kryeministri tha se një fond i tillë do të mbështesë iniciativat e shumta zhvillimore, dhe do të ndihmojë arritjen e objektivave prioritare si vend. Ai vuri theksin te motivimi i mërgatës për të ardhur dhe kontribuar në Kosovë.

U bisedua për potencialin e migrimit qarkor për të sjellë njerëz dhe mundësi të mëdha për zhvillimin e Kosovës.

Për sa i përket tranzicionit energjetik, përfaqësuesit e qeverisë gjermane konfirmuan mbështetjen për projektin “Solar 4 Kosova”.

Në takim morën pjesë edhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, Zëvendësministri i Ekonomisë, Mentor Arifaj, këshilltarja politike e Kryeministrit, znj. Fëllanza Podrimja, Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, z. Jörn Rohde, Zyrtarja e Lartë për politika për Kosovën në BMZ, znj. Michaela Brinkhaus, dhe e dërguara e BMZ në Ambasadën gjermane, znj. Vera Baumann.

Kategoritë
LajmeVendi