Kryeministri pakistanez do të vizitojë Rusinë mes marrëdhënieve të ftohta me SHBA-në

Ky do të jetë udhëtimi i parë i kryeministrit Khan në Rusi dhe i pari nga një kryeministër pakistanez që nga viti 1999

Kryeministri pakistanez, Imran Khan, më 23 shkurt do të udhëtojë në Rusi për një vizitë dyditore me ftesë të homologut të tij rus, Vladimir Putin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ky do të jetë udhëtimi i parë i kryeministrit Khan në Rusi dhe i pari nga një kryeministër pakistanez që nga viti 1999.

Ministria e Punëve të Jashtme e Pakistanit njoftoi se kryeministri pakistanez do të shoqërohet nga një delegacion i nivelit të lartë që përfshin anëtarë të kabinetit.

Bisedimet midis Khan dhe Putin do të jenë pika kryesore e vizitës, e cila po zhvillohet në një kohë kur Moska është e bllokuar nga tensionet në rritje me Perëndimin për Ukrainën.

Vizita e kryeministrit pakistanez po ashtu është e rëndësishme pasi marrëdhëniet e Pakistanit me aleatin e vjetër, SHBA-në, po bëhen gjithnjë e më të ftohta, kryesisht për shkak të çështjes së Afganistanit dhe rritjes së partneritetit ekonomik dhe të mbrojtjes së Pakistanit me Kinën.

Islamabadi ishte një partner i ngushtë i Washingtonit gjatë Luftës së Ftohtë, duke luajtur një rol të rëndësishëm në largimin e Rusisë nga Afganistani fqinj në vitin 1989.

“Pakistani dhe Rusia gëzojnë marrëdhënie miqësore të karakterizuara nga respekti reciprok, besimi dhe konvergjenca e pikëpamjeve për një sërë çështjesh ndërkombëtare dhe rajonale”, thuhet në njoftimin e ministrisë pakistaneze.

Khan dhe Putin do të shqyrtojnë “të gjithë rreshtimin e marrëdhënieve dypalëshe, përfshirë bashkëpunimin energjik”, si dhe do të shkëmbejnë pikëpamje mbi çështjet kryesore dhe rajonale e ndërkombëtare, përfshirë Islamofobinë dhe situatën në Afganistan.

Ministri po ashtu tha se vizita do të ndihmojë në thellimin e mëtejshëm të “marrëdhënieve dypalëshe të shumë-anshme Pakistan-Rusi dhe në zgjerimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në fusha të ndryshme.

Kategoritë
BotaLajme