Kryeministri palestinez dhe Emiri i Katarit diskutojnë për kauzën palestineze

“Izraeli duke rritur numrin e njësive të vendbanimeve, duke konfiskuar tokat dhe me shkatërrimet që ka kryer, ka eliminuar në mënyrë sistematike mundësinë e formimit të një shteti palestinez”, tha Shtayyeh

Kryeministri palestinez, Mohammad Shtayyeh dhe Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani diskutuan për zhvillimet e fundit në lidhje me kauzën palestineze, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim nga zyra e kryeministrit palestinez thuhet se Shtayyeh i cili ndodhet në Katar në kuadër të Forumit “Doha 2022”, u takua me Emirin e Katarit, Al Thani.

Shtayyeh informoi Emirin Al Thani rreth situatës së vështirë në të cilën ndodhet Palestina. Ai deklaroi se Izraeli duke rritur numrin e njësive të vendbanimeve, duke konfiskuar tokat dhe me shkatërrimet që ka kryer, ka eliminuar në mënyrë sistematike mundësinë e formimit të një shteti palestinez.

Gjithashtu Shtayyeh foli për krizën ekonomike dhe financiare në Palestinë dhe shprehu lëvdata për qëndrimin mbështetës të Katarit në këtë çështje.

Ndërsa Al-Thani vuri në dukje se vendi i tij është vazhdimisht mbështetës i Palestinës dhe popullit të saj i cili dëshiron t’i japë fund pushtimit dhe të krijojë një shtet të pavarur.

Forumi “Doha 2022” filloi sot në kryeqytetin e Katarit, Doha me temën “Transformimi për epokën e re”. Forumi i cili mbahet çdo vit që nga viti 2000, mbledh krerë të qeverive dhe shteteve, politikanë dhe opinionistë nga e gjithë bota.

Kategoritë
BotaLajme