Kryeministri Rama fillon vizitën zyrtare në Turqi

“Në vizitë zyrtare me ftesë të Presidentit Erdoğan, për të hapur një kapitull të ri bashkëpunimi mes dy qeverive dhe nënshkruar një sërë marrëveshjesh me rëndësi në kuadrin e partneritetit tonë strategjik”, ka shkruar Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka filluar vizitën dyditore zyrtare në Turqi, ndërkohë gjatë mbërritjes në Ankara ai është pritur nga zyrtarët turq.

Duke publikuar një video në rrjetet sociale nga mbërritja në kryeqytetin turk, Rama ka shkruar: “Në vizitë zyrtare me ftesë të Presidentit Erdoğan, për të hapur një kapitull të ri bashkëpunimi mes dy qeverive dhe nënshkruar një sërë marrëveshjesh me rëndësi në kuadrin e partneritetit tonë strategjik”.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, do të presë me ceremoni zyrtare kryeministrin Rama i cili do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Turqi më 6-7 janar. Pas takimeve dypalëshe do të mbahet konferenca e përbashkët Erdoğan-Rama.

Sipas Drejtorisë së Komunikimeve të Presidencës së Turqisë, në takimet që do të zhvillohen në kuadër të vizitës, marrëdhëniet bilaterale midis Turqisë dhe Shqipërisë do të rishikohen në të gjitha dimensionet, si dhe do të trajtohen hapat që mund të merren për zhvillimin e bashkëpunimit.

Në takime gjithashtu do të shkëmbehen mendime mbi zhvillimet aktuale rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe marrëdhëniet dypalëshe.

Kategoritë
LajmeRajoni