Kryeministri Rama inspekton fillimin e shërbimeve në spitalin e ndërtuar nga Turqia

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, kanë inspektuar sot Spitalin Memorial të Fierit, i cili ka filluar të jetë në shërbim të qytetarëve prej disa ditësh

Spitali Rajonal Memorial në Fier i ndërtuar me financimin e Turqisë ka nisur prej disa ditësh fazën e parë të shërbimeve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, kanë inspektuar sot Spitalin Memorial të Fierit, i cili ka filluar të jetë në shërbim të qytetarëve për rajonin e jugut të vendit.

Kryeministri Rama theksoi se Spitali Rajonal Memorial në Fier nuk është thjesht dhe vetëm një ofrues shërbimesh shëndetësore, por edhe një qendër e transferimit të dijes.

“Jam shumë mirënjohës për të gjithë personelin turk që ka ardhur. Dua t’u them që edhe në diskutimin që kam bërë me Presidentin(Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan) që në fillim, që kjo nuk është thjeshtë çështje e një spitali dhe një shërbimi më shumë, që nuk diskutohet është shumë e rëndësishme, por është mbi të gjitha transferim i dijes”, u shpreh Rama gjatë vizitës në këtë spital.

Ministrja Manastirliu u shpreh se ky spital tashmë ka filluar funksionimin.

“Prej disa ditësh Spitali Memorial i Fierit ka filluar funksionimin, pacientët e parë janë shtruar dhe ekipi i mjekëve dhe infermierëve turq dhe shqiptarë janë në simbiozë. Ky spital pritet të ketë mbi 12 mijë të shtruar në vit dhe rreth 2 mijë do të jenë ndërhyrjet kirurgjikale të planifikuara”, tha Manastirliu.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, nga data 27 maj Spitali Memorial i Fierit ka hapur dyert për pacientët dhe deri tani janë 100 pacientë që kanë marrë shërbimet në këtë spital, 18 pacientë janë shtruar dhe janë realizuar 2 ndërhyrjet e para kirurgjikale me sukses.

Spitali Rajonal Memorial i Fierit do të administrohet dhe menaxhohet nga një ekip i përbashkët shqiptar dhe turk në një periudhë tranzitore. Spitali ka një kapacitet 150 shtretër dhe në këtë spital do të aplikohet për herë të parë modeli i autonomisë spitalore. Spitali do të ofrojë shërbimin e urgjencës, kirurgjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë kardio-vaskulare, mjekësisë interne, kardiologjisë, neurologjisë, sëmundjeve infektive, pneumologjisë, shërbimin e ortopedisë dhe traumatologjisë.

Kategoritë
LajmeRajoni