Kryeparlamentari i Turqisë pret në takim kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut

Şentop tha se marrëdhëniet midis Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut janë në nivel shumë të mirë, duke shtuar se Ankaraja gjithnjë e ka mbështetur Shkupin në zhvillimin e marrëdhënieve me strukturat euroatlantike

Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM), Mustafa Şentop, priti në një takim kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, Salih Murat, dhe delegacionin e tij shoqërues, raporton Anadolu Agency (AA).

Takimi u zhvillua në mjediset kryesisë së parlamentit, ndërsa Şentop u shpreh i lumtur për takimin e sërishëm me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut.

“Jam i lumtur që pas një kohe të shkurtër sërish takohem me bashkëvendasit e mi”, theksoi kryeparlamentari turk, i cili në muajin dhjetor qëndroi për vizitë në Maqedonië e Veriut.

Ai po ashtu tha se delegacioni gjendet në Turqi për vizitë zyrtare dhe do të takohet edhe me presidentin Recep Tayyip Erdoğan.

Şentop tha se marrëdhëniet midis Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut janë në nivel shumë të mirë, duke shtuar se Ankaraja gjithnjë e ka mbështetur Shkupin në zhvillimin e marrëdhënieve me strukturat euroatlantike.

Ai deklaroi se Turqia bën përpjekje për ta shfaqur miqësinë ndaj Maqedonisë së Veriut në çdo situatë të nevojshme.

“Shembulli më i fundit i kësaj janë ndihmat shëndetësore të dërguara nga Turqia, bazuar në mundësit e saj. Periudha pandemike është një periudhë e rëndësishme ku testohen jo vetëm shëndetësia dhe ekonomia, por edhe miqësitë midis vendeve të botës. Pas përfundimit të periudhës së pandemisë, mbase çdo vend do ta ketë mundësinë ta bëjë dallimin midis atyre që janë miq të vërtetë dhe atyre që nuk janë. Besoj që në fund të kësaj periudhe do të shohim se miqësia Turqi-Maqedoni e Veriut është miqësi e vërtetë”, tha kryetari i parlamentit të Turqisë.

Nga ana tjetër, Salih Murat po ashtu u shpreh i kënaqur nga pritja në parlamentin turk, duke theksuar se Maqedonia e Veriut dëshiron t’i avancojë tutje marrëdhëniet me Turqinë.

“Ne veprojmë miqësisht dhe vëllazërisht me Turqinë. Gjithmonë, shteti i Turqisë ka qëndruar pas Maqedonisë, ashtu siç theksuat. Qëllimi kryesor i vizitës sonë ishte avancimi i marrëdhënieve midis të dy vendeve”, tha Murat.

Kategoritë
BotaLajme