Kryeparlamentari turk takon homologen nga Shqipëria, Nikolla

Mustafa Şentop tha se Shqipëria dhe populli i saj kanë një vend të veçantë në zemrat e popullit turk, duke shprehur kënaqësinë për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe në nivelin e partneritetit strategjik

Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë (TBMM), Mustafa Şentop, theksoi se synojnë që vëllimin tregtar mes Turqisë dhe Shqipërisë ta rrisin në nivelin 1 miliard dollarë, raporton Anadolu Agency (AA).

Şentop priti në një takim kokë me kokë homologen e tij nga Shqipëria, Lindita Nikolla, ndërsa më pas palët kaluan në takim mes delegacioneve.

Ai tha se Shqipëria dhe populli i saj kanë një vend të veçantë në zemrat e popullit turk, duke shprehur kënaqësinë për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe në nivelin e partneritetit strategjik.

Kryeparlamentari turk tha se Turqia me një investim prej 3,5 miliardë dollarë është investuesi më i madh në Shqipëri.

“Mbi 600 firmat tona që veprojnë në Shqipëri, ofrojnë punësim për rreth 15 mijë persona. Synimi ynë është që vëllimin tonë tregtar ta rrisim në nivelin 1 miliard dollarë”, u shpreh ai.

Şentop tha se po mbështesin procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, duke theksuar se janë zhgënjyer pasi nuk është mbajtur konferenca ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së.

“Natyrisht, ne jemi mësuar me standardet e dyfishta të BE-së ndër vitesh. Vonesa e BE-së lidhur me vendimmarrje dhe mungesa e vizionit në këto procese, po ndikon negativisht veçanërisht në shumë çështje në Ballkan. Shumë çështje, veçanërisht problemet që lidhen me Bosnjë e Hercegovinën dhe Kosovën, dhe çështjet për të cilat ne mendojmë se BE-ja duhet të marrë përgjegjësi për shkak të qasjeve të saj pa vizion. Gjithashtu ne ndjekim nga afër reformat në drejtësi dhe ato zgjedhore që po kryeni me synimin e anëtarësimit në BE”, theksoi Şentop.

Duke folur lidhur me pandeminë COVID-19, ai tha se ky proces ka treguar se sa i rëndësishëm është dimensioni njerëzor i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Ai gjithashtu rikujtoi shfaqjen e varianteve të reja të virusit.

“Një mutant në Afrikën e Jugut për disa ditë mund ta shoshim në Holandë, Britani. Pas disa ditësh edhe në Australi. Evropianët perëndimorë në përgjithësi e shihnin globalizimin si lëvizje të shpejtë dhe të lirë të parave, lëvizje të shpejtë dhe të lirë të njerëzve, veçanërisht të punës dhe lëvizje të lirë të mallrave, por edhe sëmundjet dhe viruset lëvizin lirë, globalisht… Ashtu si sëmundja është globale, edhe trajtimi, ilaçet dhe vaksinat gjithashtu duhet të jenë globale”.

Şentop rikujtoi se me udhëzim të presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan janë bërë ndihma me materiale shëndetësore në 156 vende të ndryshme.

Ai foli edhe lidhur me vaksinën turke TURKOVAC që mori miratim për përdorim. “Unë dozën e tretë e mora TURKOVAC. Shpresojmë ta ndajmë këtë sa më shpejt me të gjithë popujt, veçanërisht me vendet mike dhe vëllazërore, brenda mundësive në dispozicion”, tha Şentop.

– “Turqia është pranë Shqipërisë në ditët e vështira”

Nga ana e saj, kryetarja e kuvendit të Shqipërisë, Nikolla, deklaroi se Turqia është një mik shumë i çmuar i Shqipërisë.

Ajo falënderoi Turqinë për ndihmat që i kanë bërë pas tërmetit të vitit 2019 në Shqipëri.

Nikolla theksoi se Turqia jo vetëm në ditë të mira, por edhe në ditë të vështira është pranë Shqipërisë.

“Përderisa ne jemi këtu në takim, në Shqipëri me të vërtet është duke ndodhur një ngjarje shumë e mirë. 524 familje në muajin janar do të hyjnë në shtëpitë e reja të tyre. Kjo ndodhi falë presidentit tuaj dhe qeverisë turke”, tha ajo.

Në lidhje me spitalin rajonal të Fierit që Turqia e ndërtoi në Shqipëri, Nikolla falënderoi për mbështetjen, ndërsa ftoi kompanitë turke të investojnë në Shqipëri.

Më pas, Nikolla dhe Şentop vizituan zonën që ishte bombarduar në kuvend gjatë tentativës për grusht shtetit nga FETO më 15 korrik të vitit 2016, si dhe sallën e asamblesë së përgjithshme.

Kategoritë
LajmeRajoni