Kryeparlamentari turk zhvillon bisedë telefonike me homologun e tij të Kazakistanit

“Kazakistani është miku ynë, vëllai ynë”, tha Şentop në takim, duke theksuar se po ndjekin nga afër atë që po ndodh në Kazakistan

Kryetari i Parlamentit të Turqisë, Mustafa Şentop, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij të Kazakistanit, Nurlan Nigmatulin, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Kazakistani është miku ynë, vëllai ynë”, tha Şentop në takim, duke theksuar se po ndjekin nga afër atë që po ndodh në Kazakistan.

Kryeparlamentari turk tha se është “mjaft e vlefshme” për Turqinë që të sigurohet paqja dhe siguria në Kazakistan.

“Gjithashtu stabiliteti i vendit është shumë i rëndësishëm për rajonin”, u shpreh ai.

Nigmatulin, nga ana e tij, falënderoi presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe të gjithë ligjvënësit e parlamentit turk për mbështetjen e tyre për Kazakistanin.

“Ju me të vërtetë na qëndruat pranë në një kohë kaq të vështirë”, tha Nigmatulin.

Kazakistani tashmë disa ditë është tronditur nga protestat vdekjeprurëse të shkaktuara nga rritja e çmimit të karburantit.

Demonstratat filluan më 2 janar në rajonin e pasur me naftë Mangystau dhe u përhapën me shpejtësi në pjesë të tjera të vendit, përfshirë edhe në qytetin tregtar dhe ish-kryeqytetin Almaty, ku mijëra njerëz dolën në rrugë.

Në përgjigje, presidenti Kassym-Jomart Tokayev, shpalli gjendje të jashtëzakonshme në qytetin Almaty dhe në rajonin e pasur me naftë Mangystay, para se të zgjerojë këtë masë në mbarë vendin.

Tokayev po ashtu miratoi dorëheqjen e qeverisë dhe kërkoi mbështetje nga Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive, një aleancë euro-aziatike e vendeve ish-sovjetike.

Kategoritë
BotaLajme