Kryetari i TIKA-s, Serkan Kayalar, vizitë në Berat

Kryetari i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Serkan Kayalar, realizoi një vizitë pune në Shqipëri, duke vizituar disa nga monumentet historike që po restaurohen nga TIKA, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas vizitës në Xhaminë e Et’hem Beut në Tiranë, Kayalar, së bashku me koordinatoren e TIKA-s në Tiranë, Emine Gizem Başkan, kanë vizituar monumentet osmane që po restaurohen me kontributin e TIKA-s në qytetin e Beratit.

Ai vizitoi Xhaminë Mbret, Xhaminë e Beqarëve dhe Teqenë Halveti në Berat, restaurimi i të cilave po shkon drejt përfundimit, duke u njohur me punimet restauruese të këtyre monumenteve.

Koordinatorja e TIKA-s e informoi kryetarin Kayalar rreth punimeve restauruese të cilat janë drejt fundit.

Xhamia Mbret është ndërtuar në vitin 1492 me dekretin e Sulltan Bajazidit të Dytë gjatë udhëtimit në Shqipëri në rrugën Ohër-Elbasan, duke shkuar drejt Vlorës.

Një tjetër monument osman në qytetin e Beratit është edhe Xhamia e Beqarëve, e cila është ndërtuar nga i biri i vlonjatit Ibrahim Pasha, Sylejman Pasha, në vitin 1827-1828.

Teqeja Halveti është ndërtuar mes viteve 1781-1782 nga Kurt Ahmet Pasha për Shejh Hasanin dhe tarikatin Halveti.

Kujtojmë se TIKA ka kontribuar për restaurimin e pesë monumenteve osmane në Shqipëri, konkretisht restaurimin e Xhamisë së Et’hem Beut në Tiranë, Xhamisë së Pazarit në Gjirokastër, Xhamisë Mbret, Xhamisë së Beqarëve dhe Teqesë Halveti në Berat.

TIKA ka ofruar mbështetje dhe realizuar projekte në fusha të ndryshme në Shqipëri si në arsim, shëndetësi, infrastrukturë dhe në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Kategoritë
BotaLajme