Kryetari i TIKA-s, Serkan Kayalar, vizitë në Shqipëri

Në një deklaratë për AA, Kryetari i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Serkan Kayalar, tha se është duke zhvilluar një vizitë pune për të parë nga afër disa projekte restaurimi të TIKA-s.

Kryetari i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Serkan Kayalar, po realizon një vizitë në Shqipëri, ndërkohë ai ka vizituar në Tiranë një nga xhamitë historike që po restaurohet nga TIKA, raporton Anadolu Agency (AA).

Kayalar, së bashku me koordinatoren e TIKA-s në Tiranë, Emine Gizem Başkan, ka vizituar Xhaminë e Et’hem Beut në Tiranë, restaurimi i së cilës është drejt përfundimit.

Në një deklaratë për AA pas vizitës, Kayalar, tha se është duke zhvilluar një vizitë pune për të parë nga afër disa projekte restaurimi të TIKA-s.

“Ne si TIKA në Shqipëri prej shumë vitesh kemi zhvilluar projekte për rritjen e kapaciteteve në shumë fusha si arsimi, shëndetësia deri tek projektet për ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Shumë projekte kanë mbaruar dhe disa prej tyre janë në vazhdim. Edhe sot jemi në një nga objektet më të rëndësishme për Tiranën, në xhaminë e Et’hem Beut. Pamë nga afër punën e bërë këtu për restaurimin e kësaj vepre dhe pamë nga afër gjithashtu punën e kolegëve tanë si dhe morëm informacion për ato që janë realizuar këtu”, u shpreh Kayalar.

Duke theksuar se në dy vitet e fundit në Shqipëri janë duke u restauruar disa objekte, ai tha se “Ne tashmë jemi drejt përfundimit të restaurimit të tyre, ku njëra prej tyre është edhe Xhamia e Et’hem Beut e cila njihet ndryshe dhe si perla e Tiranës. Këto projekte të cilat kanë nisur me udhëzimet e Presidentit tonë, Recep Tayyip Erdoğan, janë drejt përfundimit. Gjithashtu jemi këtu për të parë nga afër punimet me udhëzimet e ministrit tonë”.

“Ne synojmë që në ditët në vijim të përfundojmë restaurimin e Xhamisë së Et’hem Beut dhe jemi të lumtur që vëmë në dispozicion të Shqipërisë këtë vepër të trashëgimisë sonë të përbashkët kulturore. Ne kemi dëshirë që projekte të tilla t’i realizojmë edhe në të ardhmen”, theksoi më tej kryetari TIKA-s.

Kayalar ka vizituar edhe Ambasadën e Turqisë në Tiranë, duke u takuar me ambasadorin Murat Ahmet Yörük dhe zyrtarë të tjerë të ambasadës, ndërkohë do të vizitojë edhe monumentet që po restaurohen nga TIKA në qytetin e Beratit.

Kujtojmë se TIKA ka kontribuar për restaurimin e pesë monumenteve osmane në Shqipëri, konkretisht restaurimin e Xhamisë së Et’hem Beut në Tiranë, Xhamisë së Pazarit në Gjirokastër, Xhamisë Mbret, Xhamisë së Beqarëve dhe Teqesë Halveti në Berat.

TIKA ka ofruar mbështetje dhe realizuar projekte në fusha të ndryshme në Shqipëri si në arsim, shëndetësi, infrastrukturë dhe në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Kategoritë
LajmeRajoni