Kryetari Rama: Kemi kapur qenin që sulmoi mjekët në QKUK, është në mbajtje

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se është kapur qeni që sulmoi të enjten tre mjekë në QKUK. Sipas Ramës, qeni nuk ishte i trajtuar me procedurat e nevojshme.

Sipas njoftimit të SHSKUK-së dje, dy mjekë janë sulmuar në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe një jashtë QKUK-së. Ata kanë marrë trajtimin e duhur mjekësor, pa ndonjë pasojë më të madhe.

“Më vjen keq për rastin e kohës së fundit me mjekët në QKUK. Është zënë qeni dhe e kemi parë që nuk ka qenë i trajtuar. Domethënë ka ardhur nga diku. Ai tani është në mbajtje dhe do të trajtohet në bazë të proceseve ligjore dhe do të trajtohet si i tillë. Jemi duke bërë çdo gjë për ta zgjidhur problemin e qenve endacakë”, ka thënë Rama në konferencë për shtyp të premten.

I pari i Prishtinës njoftoi se javën e ardhshme do të thërrasin një konferencë në nivel lokal, “pasi siç kam thënë, ky problem nuk mund të zgjidhet vetëm nga një komunë”.

Prishtina ka hapur disa pika ushqyese për qentë endacakë në zona të ndryshme, megjithatë nuk i ka parandaluar sulmet e tyre ndaj njerëzve.

Kategoritë
BotaLajme