Kryetarja e Gjykatës Speciale do ta vizitojë Prishtinën dhe veriun e Mitrovicës

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova dhe administratorja Fidelma Donlon më 7 dhe 8 shtator do të qëndrojnë në Prishtinë dhe veri të Mitrovicës, ku do të flasin për mandatin, punën dhe zhvillimet e fundit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK).

Sipas një njoftimi, më 7 shtator do të jenë në njërin ndër hotelet në Prishtinë. Kurse, të nesërmen në veri të Mitrovicës.

Takimi ndërveprues shënon fillimin e një angazhimi të shtuar të kryetares dhe të administratores në veprimtaritë e komunikimit dhe ndërgjegjësimit të DHSK-së.

“Duke pasur parasysh rregulloret e shëndetit dhe të sigurisë si rezultat i pandemisë globale Covid-19, kryetarja dhe administratorja po shfrytëzojnë mundësinë e parë për të udhëtuar në Kosovë për t’u takuar me shoqërinë civile dhe të tjerët”, thuhet në njoftim.

Kategoritë
LajmeVendi