KS i OKB-së mblidhet të dielën për tensionin në rritje Izrael-Palestinë

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (KS i OKB) ka vendosur të takohet të dielën për të diskutuar tensionet në rritje midis Izraelit dhe Palestinës dhe sulmet ajrore kundër Rripit të Gazës.

 

Pas kundërshtimit të ShBA-së për të mbajtur një takim të premten, Këshilli i Sigurimit ra dakord të diskutojë tensionin dhe dhunën midis Izraelit dhe Palestinës në një seancë të hapur të dielën.

 

SHBA-ja e kishte kundërshtuar kërkesën e kryesuesit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për muajin maj, Kinës, dhe anëtarëve të përkohshëm të Këshillit, Norvegjisë dhe Tunizisë, për të mbajtur një takim të premten, me arsyetimin se kjo “nuk do të kontribuonte në përpjekjet për të ulur tensionin”.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së u mblodh dy herë këtë javë në një seancë emergjente, por nuk ndërmori ndonjë hap për shkak të kundërshtimit të ShBA-së.

Këshilli do të takohet për herë të tretë me seancën që do të mbahet të dielën.

Ndërkaq Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka bërë thirrje nga Twitter-i për t’i dhënë fund menjëherë tensionit dhe konfliktit për “hatër të Fitër Bajramit”.

“Kanë vdekur shumë civilë. Ky konflikt vetëm se rrit radikalizmin dhe ekstremizmin në rajon”, shkruan Guterres në Twitter.

Kategoritë
BotaLajme