Kukaj: Qeveria po krijon monopol abuziv me “tiketën ngjitëse”, marrëveshja përbën vepër penale

Partia Socialdemokrate ka dorëzuar sot në Prokurori kallëzim penal kundër marrëveshjes për “tiketën ngjitëse”.

Dren Kukaj, drejtor i drejtorisë për Mirëqenie Sociale në Prishtinë, ka deklaruar se kjo marrëveshje përbën keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe se marrëveshja është e panevojshme dhe e dëmshme.

I ftuar në emisionin Frontal në T7 me Arsim Lanin, ai ka thënë se me anë të kësaj marrëveshje po krijohet një monopol abuziv në dëm të interesave të qytetarëve, raporton Express.

“Argumenti kryesor është që po krijohet një monopol abuziv në dëm të interesave të qytetarëve të Kosovës. Kjo taksë është e panevojshme edhe marrëveshja përbën vepër penale sepse lehtësisht ka mundur të evitohej. Në bindjen tonë, kjo ministri ose qeveri e ka arritur këtë marrëveshje e po ndihet aq të fuqishëm për të shtyrë monopole të tilla”, ka thënë ai.

Kukaj është shprehur se përmes kallëzimit penal po synojnë që të nisen veprimet hetimore, të ndalin këtë taksë, e siç ka thënë ai të ja ndalin hovin qeverisë.

“Të nisen veprime hetimore dhe të ndalet kjo taksë dhe të ndalet edhe ky hovi qeverisë që për bindjen tonë, këta po ndihen aq të fuqishëm që të bëjnë edhe kësi lloj monopoli. Procedurat e prokurimit për këtë marrëveshje kanë filluar në vitin 2018, të njëjtat pastaj janë anuluar në vitin 2019, dhe pastaj përveç disa përpjekjeve, është vendosur që të riaktilizohet kjo procedurë për t’i hapur derë marrëveshjes që është nënshkruar”, ka shtuar ai.

Përndryshe, Kukaj ka folur edhe për arrestimin e 8 aktivistëve të PSD’së ditë më parë, pas aksionit të tyre kundër “tiketave ngjitëse”.

Ai ka thënë se veprimi më i duhur ka qenë që ndaj tyre të shqiptohen gjoba, e jo të arrestohen e të rrahën.

Kategoritë
LajmeVendi