Kuleba pas takimit në Antalya: Kërkuam armëpushim 24 orësh, por nuk arritëm ndonjë përparim

“Ne nuk mund ta ndalim luftën. Nëse vendi dhe shteti që na sulmon nuk e dëshiron këtë, ne nuk do të mund ta ndalim luftën”, tha ministri i Jashtëm ukrainas, Kuleba.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmitry Kuleba pas takimit në Antalya ka kërkuar ndihmë për evakuimin e civilëve nga qyteti Mariupol, raporton Anadolu Agency (AA).

Kuleba vlerësoi takimin trepalësh të ministrave të Jashtëm të Rusisë, Ukrainës dhe Turqisë, i cili u mbajt me ndërmjetësimin e Turqisë në Antalya në kuadër të Forumit të Diplomacisë Antalya.

“Dua të falënderoj Çavuşoğlun. Arriti të lehtësojë këtë kontakt”, tha Kuleba duke vënë në dukje se kanë realizuar takimin e parë në nivel të ministrave të Jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës që nga dita e parë kur Rusia filloi sulmet e saj ndaj Ukrainës.

“Qyteti Mariupol i Ukrainës ndodhet vazhdimisht nën bombardime nga ajri”, tha Kuleba i cili shtoi se në takim ka ardhur me qëllim humanitar.

“Kërkojmë ndihmë për evakuimin e civilëve nga qyteti Mariupol. Për sigurimin e ndihmës humanitare ndaj Mariupolit është e nevojshme të formohen korridore humanitare. Fatkeqësisht Lavrov (ministri i jashtëm rus Sergey Lavrov) nuk dha ndonjë premtim për këtë (korridoret humanitare). Theksoi se do të bisedojë sërish me autoritetet përkatëse lidhur me këtë çështje. Kërkuam armëpushim 24 orësh, por nuk mundëm të arrijmë ndonjë përparim. Ma sa duket do të jetë e nevojshme që të hyjnë në veprim vendimmarrësit e tjerë”, tha Kuleba.

Pasi bëri të ditur se kanë vendosur të vazhdojnë përpjekjet për çështjet humanitare në terren, Kuleba tha: “Kam rënë dakord për t’u takuar sërish në një format të tillë si (Antalya). Jam dakord të takohem sërish nëse ka nevojë për të kërkuar zgjidhje”.

Kuleba tha se shpresojnë që Lavrov të konsultohet me vendimmarrësit e tjerë në Rusi dhe që korridori humanitar të jetë funksional. “Ne nuk mund ta ndalim luftën. Nëse vendi dhe shteti që na sulmon nuk e dëshiron këtë, ne nuk do të mund ta ndalim luftën”, theksoi Kuleba.

Ai nënvizoi se e vetmja gjë që kanë nevojë sot është “një takim serioz dhe konstruktiv” dhe tha se “Kur pala ruse të jetë gati për t’u takuar, edhe unë do të jem gati për këtë takim”.

“Unë këtu kam ardhur si një ministër i jashtëm, si një person që kam kompetenca për të marrë vendim, me qëllimin për të gjetur zgjidhje, por Lavrov ka ardhur vetëm për të dëgjuar”, tha Kuleba.

Kategoritë
BotaLajme