Kuleba: Takimi me Lavrovin do të realizohet falë Çavuşoğlut

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Kuleba tha se takimi i planifikuar më 10 mars me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergey Lavrov do të realizohet falë ministrit të Jashtëm të Turqisë, Çavuşoğlu.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba tha se takimi i planifikuar më 10 mars me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergey Lavrov do të realizohet falë ministrit të Jashtëm të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas agjencisë së lajmeve “Unian” me qendër në Ukrainë, ministri Kuleba në një transmetim të drejtpërdrejtë në televizion tha se do të ulen në tryezën e bisedimeve me Lavrovin.

“Takimi i planifikuar më 10 mars do të realizohet fillimisht falë ministrit të Jashtëm të Turqisë, Çavuşoğlu. Nuk e di nëse është (presidenti Recep Tayyip) Erdoğan që ka bindur (presidentin e Rusisë Vladimir) Putin apo nëse Çavuşoğlu ka bindur Lavrovin, por takimi do të mbahet”, tha Kuleba.

Ai tha se prej dy vitesh Lavrov i shmanget çdo bisede me të në formën dypalëshe apo në formatin e Kuartetit të Normandisë. “Tani pranoi menjëherë, ndoshta dëshiron të përcjellë diçka. Do ta dëgjojmë, por me atë do të bisedoj me qasjen se është një prej arkitektëve të agresivitetit kundër Ukrainës”, tha Kuleba.

Në pyetjen nëse Krimeja dhe Donbasi nën pushtim do të vijnë apo jo në rend dite në takim, Kuleba tha se vendi i tij nuk është në gjendje të heqë dorë nga asgjë në negociata.

Kategoritë
BotaLajme