Kurti e ftoi Scholz-in që të vijë në Kosovë me një delegacion të madh investitorësh

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është pritur sot në takim nga kancelari i Republikës Federale Gjermane, Olaf Scholz, ku e ftoi atë që ta vizitojë Kosovë me një delegacion të madh investitorësh.F

Sipas komunikatës së ZKM-së, thuhet se kryeministri Kurti theksoi miqësinë dhe partneritetin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë dhe vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe barazisë.

Po ashtu, u diskutua për marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale mes të dy shteteve dhe popullit të Kosovës dhe Gjermanisë.

“Kryeministri Kurti veçoi mërgatën e madhe të Kosovës që jeton në Gjermani dhe interesimin për të investuar në Kosovë. Ai e njoftoi Kancelarin për progresin e arritur në një vit qeverisje në Kosovë, duke potencuar rezultatet në zhvillimin e ekonomisë dhe përmirësimin në të gjithë indikatorët e demokracisë. Përmendi edhe përpjekjet e mëdha për të fuqizuar sundimin e ligjit dhe suksesin në luftimin e kontrabandës, krimit dhe korrupsionit”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.

“Kosova është tregim suksesi, prandaj edhe kemi nevojë për ndihmën e Gjermanisë si shtet i rëndësishëm brenda Bashkimit Evropian dhe akter i rëndësishëm në botë”, tha kryeministri Kurti.

Nga Kancelari kërkoi që Gjermania të shtyjë përpara liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Ai theksoi se pavarësia e Kosovës duhet të njihet nga sa më shumë vende, duke përfshirë edhe 5 vendet nga Bashkimi Evropian. Duke biseduar për bashkëpunimin rajonal, Kryeministri tha se Qeveria e mbështetë Procesin e Berlinit dhe e mirëpret përkushtimin e Kancelarit për të rifilluar këtë proces me një dinamikë të re”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.

Kancelari Scholz tha se Gjermania ka vendosur të ringjallë Procesin e Berlinit.

“Ai bëri të ditur se në pjesën e dytë të vitit do të organizojnë një konferencë për, siç u shpreh ai, që të lëvizim, të ecim tutje. Që ne të bëjmë gjithçka që pritjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor të kthehen në realitet. Ne kemi përgjegjësi që vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian”, tha Kancelari Scholz.

Lidhur me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Kurti e njoftoi Kancelarin me qasjen pro-aktive dhe konstruktive të Kosovës, duke sjellë propozime në linjë me vlerat e Bashkimit Evropian.

Dialogu duhet të jetë i përqendruar në njohje-reciproke, pra një proces i cili vazhdimisht sjell avancim deri në zgjidhjen e të gjitha çështjeve të pazgjidhura, theksoi Kryeministri Kurti.

Në delegacion me Kryeministrin Kurti ishin ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, këshilltarët politikë të kryeministrit Jeton Zulfaj dhe Fëllanza Podrimja, si dhe zëdhënësja e Qeverisë, Rozafa Kelmendi.

Kategoritë
LajmeVendi