Kurti flet për masat e reja Anti-COVID, përmend edhe rrezikun e përhapjes së Covid-19 nga diaspora

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dalë në një konferencë për media bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifin, për të folur lidhur me situatën epidemiologjike në vend dhe masat e reja anti-COVID, raporton Ekonomia Online.

Para mediave, Kurti u premtoi qytetarëve se masat kundër përhapjes së koronavirusit do të lehtësohen kur të zbuten rreziqet e kësaj pandemie, duke përmendur variantin e ri të COVID-19, numrin e vogël të vaksinimeve, mundësinë e një vale të re gjatë javëve ose muajve të ardhshëm, si dhe numrin e madh të mërgimtarëve që do të vizitojnë Kosovën gjatë festave të fundvitit.

“Festat e fundvitit shoqërohen me ardhjen e një pjese të mërgatës sonë, ky shtim i popullsisë bashkë me grumbullimet e shumta festive të fundvitit e rrit dukshëm mundësinë e ngjarjeve super shpërndarëse. Së dyti, situata epidemiologjike në Evropë vazhdon të jetë tejet e rëndë sidomos në disa vende ku jetojnë një numër i madh i mërgimtarëve. Shtimi i numrit të udhëtarëve e rrit mundësinë që gjendja epidemiologjike të jetë e ngjashme. Kosova ka shkall më të ulët të vaksinimit se këto vende evropiane. Dhe së katërti, ditëve të fundit është shfaqur në Afrikën e Jugut një variant i ri i virusit Corona, Omicron. Ky variant është përhapur në së paku 38 vende të botës”, ka thënë ai.

Kurti tha se duke u bazuar në situatën epidemiologjike, do të marrin edhe masa.

Ai u shpreh se nëse rreziku ndaj COVID-19 zbutet, ata do të zbusin masat për bashkatdhetarët.

“Si kryeministër nuk kam detyrë më të rëndësishme se sa të mbroj jetën dhe shëndetin e qytetarëve tanë me të gjitha mjetet që qeveria i ka në dispozicion. Për këtë arsye kemi marrë masa kufizuese edhe brenda vendit, duke marrë parasysh rreziqet. Jemi vazhdimisht duke shqyrtuar të dhënat më të reja mbi të cilat ne do të përditësojmë masat sa herë të ketë nevojë konform situatës. Në momentin e parë që rreziqet zbuten dhe dalin të jenë më pak serioze, qeveria do të merr vendim për lehtësimin e masave kufizuese”, shtoi ai.

Ndërkaq ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka prezantuar masat e reja që hyjnë në fuqi nga dita e nesërme. Ai ka thënë se qytetarët që hyjnë në Kosovë me një dozë të vaksinës, do t’u kërkohet edhe testi PCR.

“Janë administruar mbi 1 milionë doza, ku 66 për qind kanë marrë një dozë, ndërkaq 55 pr qind e kanë marrë dy doza. Sipas IKSHPK, situata me Covid-19 vazhdon të jetë me rrezik të lartë, ku nëpër Evropë po regjistrohen raste të reja edhe me variantin e ri omricon, i cili është edhe më i transmetueshëm. Gjendja me Covid-19 është dinamike, dhe ndryshon në mënyrë të vazhdueshme. Nga sot do të rikthejmë vaksinimit edhe gjate vikendit. Nëse një person hyn në Kosovë vetëm më njërën dozë, atëherë do t’i kërkohet testi PCR jo më i vjetër se 48 orë”, ka thënë ministri Latifi.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi