Kurti pas aplikimit të Kosovës: Anëtarësimi ynë i plotë në KE do të ishte sinjal i fortë për rajonin

Anëtarësimi i plotë i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte një hap i madh për Evropën dhe një sinjal i fortë për rajonin.

Kështu tha kryeministri Albin Kurti në një postim në Twitter pas dorëzimit të aplikimit sot nga ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla për anëtarësim në Këshill të Evropës.

“Anëtarësimi ynë i plotë do të ishte jo vetëm një sinjal i fortë për të gjitha forcat demokratike në rajon, por edhe një hap i madh për Evropën në tërësi, me të cilën ndajmë angazhimin tonë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, shkroi Kurti në Twitter.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, zyrtarisht ka dorëzuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Gërvalla këtë e ka bërë të ditur përmes një adresimi në Facebook.

“Sapo dolëm nga takimi me zëvendës sekretarin e përgjithshëm të KE dhe në emër të Kosovës propozuam kërkesën për anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Sot hapet një kapitull i ri për Kosovën në Këshillin e Evropës. Sot fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës sonë e cila do të kalojë nëpër instanca të ndryshme të Këshillit të Evropës, asamblesë parlamentare dhe në fund edhe të Këshillit Ministror”, tha Gërvalla.

Kategoritë
LajmeVendi