Kurti: Serbia të distancohet nga sulmet e dhunshme terroriste ndaj policisë sonë

“I bëj thirrje Serbisë që të dënojë dhe distancohet nga sulmet e dhunshme terroriste ndaj policëve tanë, ku disa prej të cilëve u sulmuan ishin serbë të Kosovës”, ka shkruar Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje Serbisë që të distancohet nga sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës në veri të territorit kosovar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një reagim në rrjetet sociale për sulmet të cilat ndodhën tre ditët e fundit në lokacione të ndryshme ndaj Policisë së Kosovës, Kurti ka thënë se nuk do të jenë pengesë për të mbrojtur shtetin kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në të gjithë Kosovës.

“Për tri ditë radhazi (13–15 prill) policët e Kosovës janë sulmuar në pikën kufitare me Serbinë. Dje dhe sot më herët, një breshëri plumbash dhe një granatë dore u hodhën drejt policisë sonë. Burimet tona e kanë identifikuar sulmin e djeshëm të ketë ardhur nga territori i Serbisë”, shkroi Kurti.

Në reagimin e tij, kryeministri kosovar ka bashkëngjitur edhe fotografi të cilat gjatë ditës i publikuan në një konfernecë për media ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla bashkë me drejtorin e Policisë, Samedin Mehmeti.

Kurti tha se këto sulme nuk do t’i pengojnë dhe as ndalojnë institucionet kosovare në luftën për të mbrojtur shtetin ligjor kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në gjithë territorin e Kosovës.

“I bëj thirrje Serbisë që të dënojë dhe distancohet nga sulmet e dhunshme terroriste ndaj policëve tanë, ku disa prej të cilëve u sulmuan ishin serbë të Kosovës”, ka shkruar Kurti.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media ministri Sveçla sot paradite njoftoi se për tre ditë me radhë ndodhën katër sulme të cilat ai i cilësoi si terroriste në drejtim të Policisë së Kosovës.

Përpos tentim-sulmit të parë me vendosje të iriqëve metalikë në rrugë që rrezikuan jetën e pjesëtarëve të Policisë, tre sulmet e tjera përfshinin granata dore, armë zjarri dhe gurë.

Ministri Sveçla tha se këto sulme vijnë si reagim për shkak të angazhimit serioz të institucioneve të Kosovës që të vendosin rend dhe ligj në çdo cep të vendit.

Njëri nga sulmet ndaj Policisë ndodhi pikërisht në vendin ku ditë më parë, më 8 prill, Departamenti i Policisë Kufitare dhe Dogana e Kosovës, duke ndaluar dhe kontrolluar automjete me të cilat dyshohej se bëhej transport, gjegjësisht tregti e ndaluar dhe kontrabandë.

Në kuadër të aksionit, malli u konfiskua nga Dogana e Kosovës dhe u arrestuan njëmbëdhjetë shtetas kosovarë nën dyshimin se merreshin me tregti të ndaluar dhe po ashtu u sekuestruan tri automjete.

Kategoritë
LajmeVendi