Kurti uron Ramën për Ditën e Forcave të Armatosura

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar një letër urimi homologut të tij nga Shqipëria, Edi Ramës, me rastin e Ditës së Forcave të Armatosura.

“Pranoni ju lutem urimet më të përzemërta në emrin tim dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Në këtë ditë, e kujtojmë dhe nderojmë sakrificën, qëndresën, forcën dhe përkushtimin ndaj atdheut të brezave të ushtarëve e patriotëve”, shkroi Kurti.

Më tëj ai u shpreh se roli i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë përveç se në mbrojtjen dhe sigurinë e Shqipërisë, shtrihet edhe përtej kufijve dhe i kontribuon edhe paqes në rajon dhe botë.

“Në këto 109 vite, Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, na falën nder e krenari të gjithë shqiptarëve. Përderisa përballuan çdo sfidë, njëkohësisht mbrojtën edhe vlerat më të larta shtetërore e kombëtare. Si vend anëtar i NATO-s, në misione paqeruajtëse kontribuuan në stabilitet anembanë botës”.

“U gëzohemi sukseseve tuaja, sikurse edhe thellimit të bashkëpunimit ndërmjet forcave të dy vendeve tona, zhvillimit dhe avancimit të kapaciteteve ushtarake, në shërbim të mbrojtjes dhe sigurisë në vendet tona dhe në rajon”, theksoi kryeministri i Kosovës në letrën e tij drejtuar Ramës.

Kategoritë
LajmeVendi