Kurti: Vitia ishte ilaçi i duhur kundër sëmundjes së rëndë – mosbesimit ndaj institucioneve të qeverisjes

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Arben Vitinë, ish-ministrin e Shëndetësisë, e kishte bashkëpunëtorin më të ngushtë në qeverisje.

Ai me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se Vitia ka dhënë kontributin e tij për të mirën e LVV-së.

“Të dy jemi në Kosovë, por sot nuk do të takohemi. Për ato 120 ditë vjet, dhe për këto 193 sivjet, e kisha bashkëpunëtor të ngushtë e të përditshëm në qeverisje. Dr. Arben Vitia, ishte njeriu ynë kundër virusit. Këtij virusit COVID-19 që solli pandeminë dhe atij virusit më të lashtë të mosbesimit në institucione”.

“Arben Vitinë e njoh që prej fillimeve të VETËVENDOSJE!-s. Mjek, që ka përvetësuar nga ky profesion virtytet më të larta, thjeshtësinë dhe përgjegjësinë. Shok, që ka dhënë për Lëvizjen kontributet më të çmuara, punën dhe mirësinë”.

Kurti ka shtuar se Arben Vitia ishte ilaçi i duhur për pandeminë COVID-19.

“Arben Vitia, së bashku me stafin ministror dhe me trupën e manteleve të bardhë, me konsultimin e përditshëm me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik dëshmuan se qeverisja është më së pari aftësia e koordinimit të specialistëve, administratorëve dhe qytetarëve, koordinim i talenteve, përgjegjësive dhe besimit”.

“Besoj me forcë se ne do të kemi rastin gjithnjë e më shpesh t’u ofrojmë qytetarëve ministra që e ringjallin besimin tek institucionet e Republikës. Rreziku i shëndetit publik, trupor e mendor, nuk është vetëm pandemia me variantet e saj, por mosbesimi i qytetarëve tek institucionet. Prandaj, Arben Vitia ishte ilaçi i duhur, jo vetëm kundër pandemisë së paparë, por edhe kundër sëmundjes së rëndë, mosbesimit ndaj institucioneve të qeverisjes. Të falënderoj nga zemra Beni, për ndryshimet që ke sjellur me punën, angazhimin dhe kontributin tënd, për sukseset dhe të arriturat që sot i gëzojnë të gjithë”,ka shkruar Kurti.

Kategoritë
LajmeVendi