Kurti:Ideja me e heq tarifën për me fillu negociatat, ideja është me heq taksën për me u publiku marrëveshja

Kryeminitri Kurti ka folur në seancën ku pas votimit të mocionit të mosbesimit pritet të shkarkohet ai bashkë me qeverinë e tij.

Kurti u ankua se qeveria e tij nuk ka pasur hapësirë të punojë aq sa duhet, shkruan lajmi.net.

“Qeveria e re ndodhet në ditën e 50-të të punës së saj. Të gjithë e pamë se si jo vetëm se nuk i kishim 100 ditë për ta dëshmuar veten tonë, por nuk i patëm as 100 orë”, tha Kurti.

Kurti më tej e vazhdoi fjalimin e tij duke folur për të kaluarën dhe vendimet që i mori qeveria e tij gjatë këtyre 100 ditë qeverisje.

“Qysh në fillim i përgjysmuam pagat e kabinetit qeveritar por jo në drejtësi. I shkarkuam shtatë koordinatorët e panevojshëm nacional. U shkarkua bordi i Telekomit. U shfuqizua vendimi për pagat e ish-ministrave dhe ish-zëvendësministrave pasi që ata të përfundonin mandatin. U shkarkua bordi i Infrakosit. Anulimi i tenderit 110 milionësh. Anulimi i  ndërtimeve te Liqeni i Badovcit. U anuluan tri vendime të ish-ministres së Integrimeve Evropiane duke u kursyer kështu 400 mijë euro. U anulua vendimi që Bechtel Enkas ia siguronte rreth 50 milionë euro”, ka thënë Kurti.

Kurti tutje tha se atij nuk i dhimbset vetja se po shkon si kryeminsitër, por që sipas tij i dhimbset populli që po mbetet pa qeverinë të cilën e kanë votuar.

Sipas tij, esenca e mocionit qëndron krejt diku tjetër, e jo në shkarkimin e Veliut.

“Mua nuk më dhimbset kjo qeveri e aq më pak vetja. Mu më dhimbset populli. Sepse mocioni synon ta lë atë pa qeverinë për të cilën ata kanë votuar. Po doni ta leni popullin pa këtë qeveri në javën më të rëndësishme në luftën kundër koronavirusit. Në kushtet kur ne me qeverinë tonë po japim shembull se si menaxhohet përhapja e pandemisë. Për bindjen time të fuqishme motori për mocionin ka të bëj asgjë më pak se me një marrëveshje të gatshme për shkëmbim territorial mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Kurti.

Kurti u shpreh shumë i ashpër duke thënë se as gjendja e jashtëzakonshme pa një situatë të tillë, e as një marrëveshje që ai thotë se përfshinë shkëmbim territoresh nuk nënshkruhet me të në qeveri.

“ Ky Pazar presidencial e kërkon rrëzimin e qeverisë. Provoi ta shpallë gjendjen e jashtëzakonshme. Me mu në qeverisje, nuk shpallet gjendje e jashtëzakonshme pa qenë e tillë. Dhe nuk ka marrëveshje as në shtëpinë e Bardhë as të gjelbër as të kuqe për shkëmbim territoresh sa jam unë në qeveri.  Presidenti ma ka konfirmuar se ka marrëveshje të gatshme. E takova presidentin por nuk u morëm vesh, sepse ai ma përsërit tre herë, heqe kryeministër taksën e shkojmë bashkë në Uashington dhe e heqim qafe Serbinë. Pra nuk është ideja me e heq tarifën për me fillu negociatat, ideja është me heq taksën për me u publiku marrëveshja”, tha Kurti.

Kategoritë
LajmeVendi