Kush është“ushtria hije” që dhunon emigrantët që vijnë në Evropë

“Der Spiegel”

Goditjet mundtë dëgjoheshin edhe para se t’i shihje ato. Zhurma e objekteve të forta që përplaseshin mbi krahët, këmbët dhe shpinat e njerëzve,arrinte të depërtonte përmes shkurreve të trasha në kufirin midis Kroacisë dhe Bosnje-Hercegovinës. Të dhunuarit ulërinin nga dhimbja, gulçonin dhe qanin.

Burra fizikisht të fuqishëm dhe me uniforma të errëta, qëndronin në anën kroate të kufirit në atë ditë të nxehtë qershori. Ata rrihnin afganët dhe pakistanezët që kishin ardhur në Evropë për të aplikuar për azil. Uniformat e tyre nuk bartnin asnjë simbol për t’u siguruar që të jenë të paidentifikueshëm.

Por ata nuk ishin plotësisht të vetëdijshëm se vetëm disa metra larg, të fshehur pas vetëm disa shkurreve dhe pemëve, dy reporterë po filmonin çdo lëvizje të tyre. Videot dokumentojnë sesi këta persona të maskuar dëbuan nga Bashkimi Evropian22 refugjatë, duke i detyruar ata të rikthehen në Bosnjë-Hercegovinë.

Njëri prej të maskuarve i goditi sërish me shkopin e tij emigrantët dhe i detyroi ata që të futeshin në një zonë të thelle që ndan kufijtë midis 2 vendeve. Pastaj ai ngriti krahun në mënyrë kërcënuese dhe bërtiti:“Shkoni në Bosnjë!”.Ekspertët e të drejtave të njeriut i cilësojnë operacione të tilla si të paligjshme, dhe në shkelje të hapur si të ligjve të BE-së po ashtu edhe të Konventës së Gjenevës për Refugjatët.

Dëbimi i emigrantëve nuk duhet që të rrezikojë jetën e tyre, dhe pasi të kenë arritur në territorin evropian, atyre duhet t’u jepet mundësia të aplikojnë për azil. Ndërkohë rrahja e njerëzve të pambrojtur është në çdo rast e ndaluar. OJQ-të, si Rrjeti i Monitorimit të Dhunës Kufitare, dhe disa media, përfshirë “Der Spiegel’, kanë mbledhur dëshmitë e qindra refugjatëve mbi dhunën e përjetuar në kufirin e jashtëm të BE-së.

“Der Spiegel” ka kaluar më shumë se 8 muaj duke raportuar mbi kufirin e jashtëm të BE-së në Kroaci dhe Greqi, së bashku me disa media të tjera evropiane. Gazetarët u maskuan si peshkatarë për t’u afruar, përdorën filmimet me dronë mbi rajonin kufitar, shqyrtuan  imazhet satelitore dhe analizuan qindra video që u ishin dërguar atyre nga vetë refugjatët. Po ashtu ata biseduan me më shumë se një duzinë burimesh në agjenci të ndryshme sigurie, dhe ndoqën gjurmët dixhitale të lëna nga burrat, që pozojnë në Instagram dhe Facebook me uniformat dhe shkopinjtë e gomës.

Nga investigimi ne zbuluam se ekziston një sistem i mirëfilltë i këtij trajtimi brutal të refugjatëve. Njësitë speciale nga Kroacia dhe Greqia, të trajnuara për të ndjekur zakonisht huliganët dhe shpërndarësit e drogës, janë vendosur në kufi për t’i detyruar azilkërkuesit të dalin nga zona e BE-së.

Ato veprojnë kryesisht në fshehtësi, edhe psenë fakt paguhen nga qytetarët e Evropës. Për shkak të fshehtësisë rreth këtyre njësive, nuk ka pasur gati asnjë debat publik në lidhje me aktivitetet e tyre, dhe as nuk është paraqitur ndonjë justifikim politik. Qeveritë në Zagreb dhe Athinë,sillen sikur dhuna të jetë vetëm pjellë e imagjinatës së gazetarëve, dhe pretendojnë se nuk ka prova dhe asnjë dëshmi të përfshirjes së shtetit. Por tani këto prova janë gjetur.

Operacioni “Korridor” në Kroaci

Nazila ka kërkuar një vend të sigurt për të jetuar për thuajse gjatë gjithë jetës së saj. 16-vjeçarja lindi në Afganistan dhe jetoi për disa vjet me familjen e saj në Iran. Tre vjet më parë, ajo arriti në kampin famëkeq të Morias në ishullin grek Lesbos, para se familja e saj të vendoste të rrezikonte duke ndërmarrë Rrugën Ballkanike.

Tani, ajo është ulur në bar në anën boshnjake të kufirit me vëllain e saj të vogël Farzin. Ajo thotë se nëse ndonjëherë gjen një shtëpi të re, do të donte të bëhej aktore. Përballja e saj më e fundit me njerëzit e maskuar në kufi ishte vetëm dy ditë më parë. Deri më tani, thotë Nazila, ata ia kanë dalë ta kapin familjen kur ajo është përpjekur të kalojnë kufirin.

Ata, kanë qëlluar me shkelma vëllanë, teksa na kanë marrë paratë dhe celularët, thotë adoleshentja. “Nëse u thua që refuzojmë të kthehemi në Bosnjë, ata zemërohen”- thotë Nazila. Familjes time, thotë ajo, nuk i është lejuar ende të aplikojë për azil.

Gazetarët e përfshirë në këtë investigim arritën të filmojnë pjesë nga dhuna ndaj Nazilës dhe familjes së saj. Imazhet me dron tregojnë dy furgona të bardhë në një nga pikat më famëkeqe të kufirit. Ato tregojnë 6 burra me uniformë që i zbresin nga furgoni si të ishin bagëti refugjatët e kapur.

Më pas ata i përcjellin refugjatët drejt Bosnjës. Zyrtarët kroatë pohojnë se refugjatët aktrojnë. Se ata lyhen me shurup qershie që të duken sikur janë përgjakur. Dhe se ata rrihen ndonjëherë nga bandat e dhunshme në anën boshnjake të kufirit. Por reporterët tanë ishin në gjendje të filmonin 11 goditje të paligjshme. Që të gjitha larg vendkalimeve kufitare zyrtare.

Për pjesëmarrjen e tij në operacionet speciale kundër emigrantëve në kufi, pjesëtari i Policisë Ndërhyrëse merr një pagë bonus, thonë në kushte anonimati disa policë kroatë, zakonisht qindra euro në muaj.

Sipas tyre, operacionet kryhen nën komandën e zyrtarëve të lartë të policisë në kryeqytetin e Zagrebit, brenda autoritetit të Ministrisë së Brendshme. Emri i koduar i këtij operacioni është“Korridor”.Goran Novak, emri i të cilit është ndryshuar për këtë artikull me kërkesën e tij, është pjesë e operacionit.

Ai thotë se njësia e tij përdor rregullisht dhunën kundër azilkërkuesve. “Kur gjejmë emigrantë në pyll, ata zakonisht shtrihen në tokë nga frika”- thotë Novak. Ai tregon se një nga oficerët në njësinë e tij, kalon shpesh pranë tyre dhe i godet me shkop nga këmbët. Më pas është qendra në Zagreb ajo që vendos nëse ata do të dëbohen apo jo.

Një oficer tjetër policie është edhe më i drejtpërdrejtë:Sigurisht që goditjet ndaj tyre janë të paligjshme, çdo polic e di këtë. Por urdhrat vijnë nga zinxhiri komandues, jashtë Ministrisë së Brendshme. “Der Spiegel”dhe mediat partnere kanë vënë në dijeni Ministrinë e Brendshme kroate për këtë skandal.

Në përgjigje, ministria njoftoi se synon të hetojë incidentet e filmuara. Një zëdhënëse tha se nëse rezulton që në to janë përfshirë oficerët kroatë, ata do të mbajnë përgjegjësi. Por OJQ-të që kanë kaluar vite duke punuar në rajonin kufitar janë të sigurta, se qeveria kroate i mbështet plotësisht praktika të tilla.

Punonjësit e OJQ-ve dëgjojnë vazhdimisht histori të tmerrshme:si për shembull kafshimet nga qentë dhe goditjet elektrike. Refugjatët kanë thënë në intervista se gratë dhe burrat janë abuzuar seksualisht.

Greqi, asnjë emigrant nuk kalon dot

Kur u pikasën nga rojet bregdetare, Junior Amba priste më të keqen. Ai dhe gruaja e tij shtatzënë, refugjatë nga Republika Demokratike e Kongos, u braktisën në një gomone portokalli në mesin e natës në ujërat e errëta të Egjeut. Njerëz të maskuar na çuan në mes të detit, thotë ai, duke kujtuar ngjarjen disa muaj më vonë.

Vetëm disa orë më parë, në mëngjesin e datës 21 prill, të dy kishin mbërritur në ishullin grek të Samos. Në fillim, iu fshehën policisë nëpër kodra. Por forcat e sigurisë i gjetën shumë shpejt dhe i futën sërish në det, bashkë me 26 azilkërkues të tjerë.

Amba thotë se kishte frikë për jetën e tij në gomonen që lëkundej sa andej-këtej pa motor, duke shtuar se rojet greke nuk u kishin dhënë as jelekë shpëtimi. Vetëm disa orë më vonë, azilkërkuesit u shpëtuan nga rojet kufitare turke. Amba dhe gruaja e tij arritën të shkonin në ishullin Samos dha do të të regjistroheshin në kampin e refugjatëve.

Tani ai ka një synim të ri:Dëshiron të nxjerrë para gjykatës njerëzit që ai pretendon se i Kanë hedhur në det. Një avokat grek ka ngritur një padi në emër të çiftit. Një nga akuzat: “torturë”.Muajt ​​e fundit, Egjeu është shndërruar në një fushëbetejë. 15 video të regjistruara nga azilkërkuesit dhe rojet bregdetare turke tregojnë se si po përshkallëzohet dhuna.

“Der Spiegel”ka raportuar prej më shumë se 1 viti mbi këtë fenomen.

Nuk ka më asnjë dyshim se kjo dhunë po kryhet nga rojet bregdetare greke, edhe pse qeveria greke pretendon të kundërtën. Komisioni Evropian thotë se nuk është në dijeni të shkeljeve ligjore që kanë ndodhur, madje duke përdorur fondet e Brukselit. Nëse kjo gjë ndodh vërtet, thotë Komisioni, pagesat mund të pezullohen dhe të vendosen gjoba.

Kategoritë
BotaLajme