Kush nga VV deklaroi pasuri milionëshe?

Lëvizja Vetëvendosje ka në përbërje – së paku – pesë milionerë. Express u sjell listën e zyrtarëve të Vetëvendosjes, që kanë deklaruar pasuri milionëshe, të tyre dhe të përbashkët, në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje,Jahja Kokën, e bëjnë milioner gjashtë pasuritë e paluajtshme që ka në pronësi. Ai ka deklaruar se ka dy banesa, dy shtëpi, një dyqan dhe një bibliotekë, që kushtojnë mbi 1 milion euro.

Te pasuritë e luajtshme, Kokaj ka deklaruar veturën e tij në vlerë 1 mijë e 700 euro, dhe veturën e gruas në që kushton pesë mijë euro.

Kokaj ka para të gatshme nëpër banka mbi 25 mijë euro, derisa bashkëshortja e tij ka 21 mijë euro të kursyera.

Të hyrat vjetore të tij sillen rreth 25 mijë euro, derisa fëmijët e tij marrin 15 mijë e 600 euro në vit.

Edhe Ministri i Punëve të Brendshme që vjen nga radhët e Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla, është milioner,, sipas pasurisë së deklaruar.

Sveçla ka deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerë gati 2 milionë euro, dhe deklaron se janë në pronësi të përbashkët. Tek këto pasuri, ai ka deklaruar një shtëpi, dy lokale afariste dhe një truall.

Tek pasuritë e luajtshme, Sveçla ka deklaruar veturën e bashkëshortes në vlerë 4 mijë euro. Gruaja e Sveçlës është edhe pronare në një ordinancë stomatologjike, ku ka aksione në vlerë 6 mijë euro.

Sveçla ka të kursyera 576 euro, derisa bashkëshortja e tij mbi 2 mijë e 500 euro.

I pari i MPB’së e ka edhe një kredi në vlerë gati 7 mijë euro, që thotë ta ketë marrë për renovim të shtëpisë. Kohëzgjatja e kësaj kredie është 10 vite.

Të hyrat vjetore të Sveçlës sillen rreth 16 mijë euro, që i merr si pagë nga Qeveria e Kosovës.

Milioner është edhe përfaqësuesi i VV’së në Komisionin Qendror të ZgjedhjeveSami Kurteshi.

Kurteshi ka deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerë rreth 1 milion e 500 mijë euro. Tek këto pasuri ka deklaruar një shtëpi dhe tri toka, por që thotë se janë në pronësi të përbashkët.

Te pasuritë e luajtshme ka deklaruar një veturë në vlerë 7 mijë euro, një bibliotekë në vlerë 70 mijë euro dhe veturën e bashkëshortes që thotë se kushton 3 mijë euro.

Si para të gatshme, Kurteshi ka deklaruar rreth 20 mijë euro në emër të tij, 10 mijë në emër të bashkëshortes dhe 1 mijë në emër të fëmijëve.

Por, Kurteshi ka edhe borxhe. Shuma e parave që ai ka borxh sillet rreth 400 mijë euro, derisa të hyrat vjetore të tij sillen rreth 16 mijë euro.

Pasuri të majme ka edhe përfaqësuesi tjetër i VV’së në KQZ, Alim Rama. Ai ka para të gatshme nëpër banka në vlerë mbi 1 milion euro.

444 mijë e 121 euro ka deklaruar se i ka të gatshme në BKT, 558 mijë e 289 të tjera në SHBA, 271 mijë e 651 euro në pronësi të përbashkët në ProCredit Bank, dhe 4 mijë e 480 euro të bashkëshortes poashtu në Pro Credit Bank.

Rama ka edhe aksione në një bankë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vlerë 200 mijë dollarë.

Tek pasuritë e paluajtshme, Rama ka deklaruar shtëpi, dy toka dhe dy banesa në vlerë gati 500 mijë euro, dhe në pronësi të përbashkët, derisa tek të luajtshmet ka deklaruar veturën 48 mijë euroshe të tij dhe atë të bashkëshortes në vlerë 7 mijë euro.

Ai ka deklaruar se merr të hyra vjetorë në vlerë 100 mijë euro.

“Nga viti 2019 e deri ne fund te vitit 2019 kam punuar si staf nderkombtar per Organizaten e Kombeve te Bashkuara , perkatesisht per UNDP ne Afganistan. Kombet e bashkuara paguajne kostot e riatdhhesimit ne proporcion me nivelin, gradat dhe kohen e sherbimit disa muaj pas perfundimit te kontratave ne menyre qe ata te riatdhesohen neper shtetet prej nga vijne. Ne periudhen e raportimit une kam pranuar pagesat e riatdhesimit nga UNDP ne vlere te cekur me larte”, ka shkruar Rama në fund të deklarimit.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, që deri para pak vitesh ishte pjesë e partisë së themeluar nga milionerët, AKR-së, është një prej zyrtarëve më të pasur të Vetëvendosjes.

Ai ka të deklaruar një shtëpi 860 mijë euro, një tjetër 200 mijë euro dhe dy shtëpi të tjera me vlerë nga 150 mijë euro. Të gjitha këto i ka të deklaruara si pasuri të përbashkët.

Si pasuri të paluajtshme, ai ka deklaruar tokë bujqësore të trashëguar nga prindërit, që thotë se ka vlerë 6.2 milionë euro.

Ai ka deklaruar edhe një tokë tjetër bujqësore në vlerën 60 mijë euro.

Pasuri milionëshe ka edhe Kryetari i Prizrenit, që vjen nga Vetëvendosja, Mytaher Haskuka. Pasuritë e paluajtshme që i ka deklaruar në emër të prindit dhe të tij kanë vlerën 2 milionë e 400 mijë euro.

Haskuka ka në banka 14 mijë euro, derisa bashkëshortja e tij gati 10 mijë.

I pari i Prizrenit ka të hyra vjetore në vlerë 20 mijë euro.

Kategoritë
LajmeVendi