Ky vend e bën të detyrueshëm vaksinimin për punëtorët publikë

Autoritetet e qytetit të Moskës njoftuan të mërkurën se të gjithë punëtorëve me role publike, do t’u kërkohet të vaksinohen kundër sëmundjes COVID-19.

Sipas dekretit, për disa punëtorë – përfshirë parukierët, shitësit me pakicë, shoferët e taksive, bankierët, mësuesit dhe përkthyesit – vaksinimi do të jetë i detyrueshëm.

Rusia ka ofruar vaksina për publikun që nga viti i kaluar, por norma e vaksinimit mbetet e ulët, ndërsa numri i të infektuarve me COVID-19 është në rritje, sidomos në Moskë.

“Më shumë se 12,000 njerëz janë në spitale… Sa i përket sëmundjes, ne tashmë jemi në nivelin e kulmit të vitit të kaluar”, tha të mërkurën kryetari i Bashkisë së Moskës, Sergei Sobyanin.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha të shtunën se vetëm 18 milionë nga 144 milionë qytetarët e Rusisë janë vaksinuar.

Dekreti i qytetit të Moskës thotë se menaxherëve të ndërmarrjeve u kërkohet që së paku 60 për qind e punëtorëve të tyre të marrin dozën e parë të vaksinës deri më 15 korrik dhe dozën e dytë deri më 15 gusht.

Një mekanizëm për të monitoruar vaksinimin do të ngrihet më 1 korrik.

Të mërkurën në Rusi u konfirmuan 13,397 raste të reja me COVID-19 – prej tyre, 5,782 në Moskë.

Në 24 orët e fundit, Moska regjistroi edhe 75 viktima nga sëmundja.

Kategoritë
BotaLajme