Lansohen projekte të reja në kuadër të reformave administrative në Prizren

Të enjten është bërë lansimi i regjistrit elektronik të procedurave administrative si dhe përmbyllja e projektit “Klima e Investimeve në Kosovë II” në komunën e Prizrenit, të realizuar në bashkëpunim me Bankën Botërore financuar nga qeveria e Zvicrës.

Pjesë e lansimit të këtyre projekteve, ishin drejtuesit më të lartë të komunës së Prizrenit, përfaqësues të ambasadës së Zvicrës, zyrës së IFC-së dhe Ministrisë së Administratës Publike. Drejtori i Administratës në Prizren, Osman Hajdari, tha se me këtë projekt të rëndësishëm për modernizimin, thjeshtësimin e procedurave dhe digjitalizimin e shërbimeve administrative, po përmbyllim gati të gjitha reformat administrative në kuadër të kompetencave që kemi për një periudhë tre vjeçare.

Kryetari i komunës, Mytaher Haskuka, tha se përmes këtyre projekteve po e kryejmë një obligim ndaj qytetarëve si dhe të përmirësimit të klimës së investimeve dhe thjeshtësimit të procedurave për largimin e barrierave për bizneset. Zv/ambasadorja e Zvicrës në vendin tonë, Pauline Menthonnex-Gacaferri, vlerësoi lartë angazhimin e drejtuesve të komunës së Prizrenit për fillimin e realizimit të kësilloj projekteve të rëndësishme për qytetarët dhe bizneset.

Ndërkaq, drejtori i zyrës së IFC-së, Veton Perani dhe Kujtim Gashi, drejtor i Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit, e vlerësuan tejet të rëndësishëm gjithashtu këtë projekt, ndërsa i pari tregoi arsyen pse Prizreni është zgjedhur komuna e parë për implementimin e këtij projekti. Ndryshe, sipas pjesëmarrësve të kësaj ngjarje, këto projekte pritet të jenë edhe një shërbim më i lehtë dhe i arsyeshëm për qytetarët dhe bizneset./TvPz

Kategoritë
LajmeVendi