Largohen nga Kosova drejt SHBA-së 54 shtetas afganë

“Patëm kënaqësi që t’i mirëpritnim këtu dhe t’u tregonim mikpritjen e vendit tonë”, shkroi Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës

 Pesëdhjetë e katër shtetas afganë të cilët po qëndronin përkohësisht në Kosovë që nga fillimi i muajit shtator të këtij viti janë larguar sot nga vendi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas njoftimit nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), 54 shtetasit afganë u larguan mëngjesin e sotëm drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

“Patëm kënaqësi që t’i mirëpritnim këtu dhe t’u tregonim mikpritjen e vendit tonë. Po punojmë pandërprerë me partneren tonë, Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, që mysafirët nga kampi Liya të mund të largohen nga Kosova dhe t’ia fillojnë jetës së re. U urojmë gjithë të mirat dhe shpresojmë të dëgjohemi sërish me ta”, thuhet në njoftim.

Ky është largimi i grupit të dytë për këtë muaj i shtetasve afganë, pas atij prej 100 personash që fluturuan drejt SHBA-së më 5 nëntor.

Më 16 gusht të këtij viti, Qeveria e Kosovës miratoi kërkesën që i është bërë nga Ministria e Punëve të Brendshme e saj për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme për personat e rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan.

Shtetasit afganë të cilët erdhën në Kosovë ishin punëtorë të aleatëve të NATO-s për të cilët presidentja kosovare Vjosa Osmani tha se “kanë nevojë për mbrojtje më shumë sesa kurrë”.

Në grupet e të ardhurve nga Afganistani kishte burra, gra dhe fëmijë të moshave të ndryshme. Ata u vendosen në ish-kampin Bechtel-Enka i cili ndodhet përballë bazës ushtarake amerikane Bondsteel në qytetin e Ferizajt.

Kategoritë
LajmeVendi