Largohen nga Kosova edhe grupi i fundit i afganëve që qëndronin në kampin “Bechtel”

“Jam shumë i lumtur që si shtet ia dolëm mbanë edhe në këtë proces dhe që të gjithë ata që u strehuan në kampin “Bechtel” në Kosovë po nisin një jetë të re në shtetet mikpritëse”, theksoi Sveçla

Janë larguar nga Kosova edhe grupi i fundit i refugjatëve në kampin “Bechtel” të ardhur nga Afganistani gjatë vitit të kaluar në Kosovë, si rrjedhojë e trazirave në vendin e tyre, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, nëpërmjet rrjeteve sociale ka njoftuar largimin me aeroplan të familjeve afgane duke lëshuar territorin e Kosovës.

“Sot përcollëm nga Kosova grupin e fundit të qytetarëve afganë të cilët ishin të akomoduar në kampin ‘Bechtel’ në Ferizaj. Si Qeveri e Republikës së Kosovës dhe si Ministri e Punëve të Brendshme, kemi pranuar të marrim përsipër këtë proces pa asnjë dilemë dhe me përgjegjësi të lartë”, shkroi Sveçla.

Ministri kosovar tha se falë bashkëpunimit me SHBA-në, NATO-n dhe aleatët, Kosova është drejt finalizimit të suksesshëm të këtij procesi.

“Jemi angazhuar maksimalisht bashkë me partnerët tanë që çdo kërkesë e të strehuarve të plotësohet në afat optimal dhe të sigurojmë mirëqenie e kushte të mira për të gjithë. Jam shumë i lumtur që si shtet ia dolëm mbanë edhe në këtë proces dhe që të gjithë ata që u strehuan në kampin ‘Bechtel’ në Kosovë po nisin një jetë të re në shtetet mikpritëse”, theksoi Sveçla.

Nga gjendja e krijuar në Afganistan, në Kosovë u strehuan rreth 1 mijë refugjatë. Disa prej tyre që ishin larguar më herët grupe-grupe, patën destinacion SHBA-në.

Më 16 gusht të vitit 2021, Qeveria e Kosovës miratoi kërkesën për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme për personat e rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan.

Shtetasit afganë të cilët erdhën në Kosovë ishin punëtorë të aleatëve të NATO-s për të cilët presidentja kosovare Vjosa Osmani tha se “kanë nevojë për mbrojtje më shumë sesa kurrë”.

Në grupet e të ardhurve nga Afganistani kishte burra, gra dhe fëmijë të moshave të ndryshme. Ata u vendosen në ish-kampin Bechtel-Enka i cili ndodhet përballë bazës ushtarake amerikane Bondsteel në qytetin e Ferizajt.

Kategoritë
LajmeVendi