Lavrov mirëpret “sinjalet inkurajuese” nga talebanët

“Ne nuk nxitojmë për të njohur ata (talebanët), ashtu si të gjitha vendet e tjera”, tha kryediplomati rus Sergey Lavrov

Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Lavrov, tha se sheh “sinjale inkurajuese” nga talebanët, por nuk do të nxitojë t’i njohë ato si autoritet legjitim të Afganistanit, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë për media në Kaliningrad, Lavrov tha se gatishmëria e grupit për të formuar një qeveri gjithëpërfshirëse është inkurajuese.

“Ne nuk nxitojmë për të njohur ata (talebanët), ashtu si të gjitha vendet e tjera”, tha ai.

“Dje fola me ministrin e jashtëm të Kinës, ne kemi të njëjtat pozicione dhe shohim sinjale inkurajuese nga talebanët, siç është dëshira e tyre për të pasur një qeveri me pjesëmarrjen e forcave të tjera politike, duke lejuar arsimin për vajzat dhe funksionimin e makinerisë së shtetit në përgjithësi, pa bllokuar rrugën për ata zyrtarë që punuan nën qeverinë e mëparshme të presidentit Ghani”, theksoi Lavrov.

Ministri vlerësoi aftësinë e talebanëve për të “siguruar efektivisht ligjin dhe rendin” në rrugët e Kabulit.

“Ne mbështesim fillimin e një dialogu gjithëpërfshirës me pjesëmarrjen e të gjitha grupeve politike dhe etnike të Afganistanit”, tha Lavrov.

Pas pushtimit të shpejtë të rretheve më të vogla administrative dhe qendrave krahinore, talebanët hynë të dielën në kryeqytetin Kabul dhe morën pushtetin, duke marrë kontrollin e vendit për herë të parë pas pothuajse 20 vjet.

Qeveria u rrëzua shpejt, ndërsa presidentin Ashraf Ghani dhe zyrtarë të tjerë kryesorë ikën jashtë vendit.

Kategoritë
BotaLajme