LDK-ja kërkon që zgjedhjet të mbahen më 31 tetor, Abdixhiku: Do ta kthejmë besimin e qytetarëve

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku pas takimit me presidentin Vjosa Osmani, ka thënë se partia e tij ka propozuar që zgjedhjet lokale të mbahen më 31 tetor, raporton Ekonomia Online.

Ai, ka thënë se edhe pse e kanë propozuar këtë datë, do të mund të pranonin edhe data tjera.

“31 tetori do të ishte një datë e pranueshme për LDK-në. Ne i propozuam dhe i kërkuam presidentes që 31 tetorin ta shpallë datë të zgjedhjeve lokale”, ka thënë Abdixhiku pas takimit.

I pyetur se a presin që në zgjedhjet lokale të fitojnë më shumë vota, duke pas parasysh votat në zgjedhjet nacionale, Abdixhiku ka deklaruar se do ta kthejnë besimin e qytetarëve për LDK-në.

“Prej datës së zgjedhjeve nacionale edhe në katër muajt e ardhshëm do të bëjmë reforma  për të kthyer besimin në LDK. Jam optimist që zgjedhjet lokale do ta japin diferencën në kthimin e LDK-së. Do të dalim me program të mirë. I kemi komunat që janë duke bërë punën shkëlqyeshëm”, ka thënë ai.

Kategoritë
LajmeVendi