LDK nuk e ka shumicën e thjeshtë në Kuvendin Komunal në Prishtinë, koalicionet të domosdoshme

Pas përfundimit të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale 2021, tashmë Prishtina do të jetë nën udhëheqjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), pasi që fitues doli kandidati i kësaj partie Përparim Rama.

Në kuadër të rezultateve që janë certifikuar nga KQZ-ja për asamble komunale, LDK në Kuvendin Komunal të Prishtinës do të ketë 14 asamblistë, tre më pak se LVV-ja e cila ka 17-të.

Kuvendi i Komunës së Prishtinës sipas statutit përbëhet nga 51 anëtarë, dhe si rrjedhojë LDK-së i duhet të bëjë koalicion me njërën nga subjektet politike që kanë fituar ulëse në Kuvendin Komunal, për të siguruar kështu shumicën e thjeshtë prej 26 anëtarëve.

Kështu ka deklaruar për Telegrafin, Qëndrim Arifi nga organizata INPO.

“Kuvendi i Komunës së Prishtinës ka 51 anëtarë dhe për ta siguruar shumicën e thjeshtë duhen së paku 26 anëtarë. Për pasoj LDK-së i duhet të bëjë koalicion me subjektet tjera të përfaqësuara në Kuvendin Komunal. Shumica në Kuvend është garancë që pikat e propozuara nga ekzekutivi do të miratohen, pa një shumicë në kuvend ekziston rreziku që anëtarët e kuvendit komunal të sabotojnë punën e ekzekutivit”, u shpreh Arifi.

Arifi ka deklaruar se qeverisja mund të bëhet edhe pa koalicione, mirëpo kjo mund të pengoj mbarëvajtjen e punëve.

“Pra, të kuptohemi qartë se qeverisja mund të bëhet edhe pa koalicione, mirëpo për të siguruar mbarëvajtjen e punëve, përkatësisht votimin e pikave të rendit të ditës në kuvend, koalicionet janë pothuajse të domosdoshme”, u shpreh Arifi.

Telegrafi ka dërguar pyetje në Lidhjen Demokratike të Kosovës për të parë nëse do të ketë koalicione me ndonjërin nga subjektet politike për asamble komunale, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Ndryshe në zgjedhjet lokale që u mbajtën më 17 tetor dhe 14 nëntor, LDK në Prishtinë për asamble komunale ka marrë 21,865 vota apo 27,21% duke siguruar kështu 14 ulëse.

LVV ka marrë 26,962 vota apo 33,56% dhe ka siguruar 17 ulëse në Kuvendin Komunal të Prishtinës. PDK ka marrë 14,250 apo 17,41% dhe ka siguruar 9 ulëse. AAK ka 6 ulëse në Kuvendin Komunal të Prishtinës pasi ka marrë 8,638 vota apo 10,75%.

AKR me 4,499 vota apo 5,60% ka siguruar 3 ulëse. Ndërkaq Lëvizja për Bashkim dhe Nisma Socialdemokrate kanë nga një ulëse.

Ndryshe Përparim Rama kryetari i zgjedhur në Prishtinë në një intervistë për Telegrafin para zgjedhjeve ka thënë se në kabinetin e tij do të ketë një ekip profesionistësh.

“CV-ja e ekipit tim do të ketë rëndësi të madhe. Ekipi do të jetë i bazuar në profesionistë dhe menaxher të mirë. Nuk ka rëndësi se nga cila parti janë apo janë të pavarur. E rëndësishme është që ata të jenë menaxher të mirë sepse na duhen që ta shndërrojmë Prishtinën në qytet për të mirën e qytetarëve”, kishte deklaruar Rama.

Kategoritë
LajmeVendi