Libia thirrje kompanive nga Turqia të marrin pjesë në rindërtimin e vendit

Ministri libian i Transportit, bëri thirrje që kompanitë nga Turqia të rikthehen në vend dhe të marrin pjesë në rindërtimin e Libisë.

Ministri libian i Transportit, Muhammad Salem Al-Shahoubi, tha se vendi i tij që nga viti 2011 është prekur seriozisht nga konfliktet e armatosura dhe ka kërkuar rikthimin e kompanive nga Turqia për rindërtimin e vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një deklarate me shkrim nga Ministria libiane e Transportit, Al-Shahoubi u takua në ministri me ambasadorin e Turqisë në Tripoli, Kenan Yılmaz.

Al-Shahoubi në takimin me ambasadorin turk diskutoi shumë çështje në lidhje me marrëdhëniet mes dy vendeve dhe kërkoi ndihmë nga Turqia për heqjen e ndalesës për fluturim mbi hapësirën ajrore të Libisë.

Ministri Al-Shahoubi ndër të tjera bëri thirrje që kompanitë nga Turqia të rikthehen në vend dhe të marrin pjesë në rindërtimin e Libisë në të cilën janë përjetuar konflikte intensive që nga viti 2011 e deri më tani.

Pas revolucionit që filloi më 17 shkurt 2011 dhe i cili i dha fund pushtetit 42 vjeçar të Muammar Gaddafit, u përjetuan konflikte mes ushtrisë dhe disa grupeve të armatosura që kishin nën kontroll disa rajone dhe aeroportin ndërkombëtar. Kryesisht pas përshkallëzimit të ngjarjeve në vitin 2014 shumë vende evakuuan qytetarët e tyre duke zbrazur misionet e tyre diplomatike në Libi.

Më 5 shkurt, grupet politike rivale të Libisë ranë dakord gjatë bisedimeve të ndërmjetësuara nga OKB-ja në Gjenevë të Zvicrës për formimin e një qeverie të përkohshme për të udhëhequr vendin drejt zgjedhjeve në dhjetor të këtij viti. Delegatët libianë zgjodhën Mohamed Al-Menfi si kryesues i Këshillit Presidencial me tre anëtarë dhe Abdul Hamid Dbeibeh si kryeministër të ri.

Kategoritë
BotaLajme