Liderët separatistë katalanas lirohen nga burgu me qëndrim të pandryshuar rreth pavarësisë

Qeveria spanjolle fali 9 liderë të burgosur, por ata mbesin të vendosur në arritjen e pavarësisë

Pas më shumë se tre vjet e gjysmë pas grilave për rolet e tyre në përpjekjen e pavarësisë në vitin 2017, nëntë udhëheqës separatistë katalanas u lanë të lirë sot nga burgu, raporton Anadolu Agency (AA).

Ata u liruan nëpërmjet faljeve të lëshuara nga qeveria progresive spanjolle, e cila synon një “fillim të ri” me fraksionet separatiste katalanase.

Me këtë hap u hoqën nga pesë deri në nëntë vjet burg për politikanët dhe aktivistët katalanas të cilët ishin akuzuar për krime si kryengritje, rebelim dhe keqpërdorim të fondeve publike.

Megjithatë, qasja e qeverisë spanjolle nuk i ka shuar ambiciet e tyre separatiste.

“Sot, ndërsa largohemi nga burgu, asgjë nuk ka mbaruar. Gjithçka vazhdon … Tani jemi edhe nëntë njerëz të tjerë që do të punojmë për lirinë e të gjithëve në këtë vend… për ta kthyer ëndrrën tonë për një republikë katalanase në një realitet”, u tha mediave dhe mbështetësve Oriol Junqueras, ish-nënkryetar i Katalonjës i cili u dënua me 13 vjet burg.

Fjalët e tij u pasqyruan nga udhëheqësit e tjerë, të cilët u zotuan të vazhdojnë luftën për pavarësi nga Spanja dhe amnisti për udhëheqësit politikë katalanas që u larguan nga Spanja para se të arrestoheshin, gjykoheshin dhe dënoheshin.

“Nuk ka asnjë falje në botë që mund t’ua mbyllë gojën njerëzve katalanas, askush nuk duhet ta kuptojë këtë gabim. Nëse jemi liruar, kjo është për shkak se shteti nuk ishte në gjendje të na mbajë më në burg për shkak të presionit nga Evropa”, tha pas lirimit Jordi Cuixart, kryetari i grupit aktivist Omnium.

Të hënën, të njëjtën ditë kur kryeministri Pedro Sanchez njoftoi faljet, Këshilli i Evropës votoi për të lëshuar një deklaratë që dënonte trajtimin e Spanjës ndaj udhëheqësve katalanas të pavarësisë.

Në Madrid, Sanchez u përball me presion nga të gjitha palët në parlamentin spanjoll.

Udhëheqësit e zemëruar konservatorë i bënë thirrje atij të japë dorëheqje për shkak të faljeve, ndërsa mbështetësit e tij separatistë thirrën për një referendum të pavarësisë.

Pavarësisht, Sanchez i quajti faljet si “kurajoze dhe përmirësuese”, duke thënë se ato do të hapin derën për një marrëdhënie më të mirë midis Spanjës dhe Katalonjës së kontrolluar nga separatistët.

Megjithatë, qeveria e tij mbetet e vendosur në refuzimin e saj për të ofruar amnisti për udhëheqësit e mërguar ose për të mbajtur një referendum mbi pavarësinë katalanase.

Kategoritë
BotaLajme