Lladrovci: PDK të hap dyert për partitë tjera, por, vetëm duke u shkrirë në PDK

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka thënë se partitë politike janë të mirëpritura në listën zgjedhore të Partisë Demokratike të Kosovës por sipas tij vetëm duke u shkrirë brenda PDK-së.

“Partitë politike janë të mirëseardhura në listën e përbashkët zgjedhore por vetëm duke u shkrirë brenda PDK-së. Kur pranohet partneriteti dhe bashkëpunimi i sinqertë për garën zgjedhore, atëherë emri është i rëndësisë më të vogël. Partitë politike që do të bëhen pjesë e listës tonë, asgjë nuk humbin para qytetarëve as para anëtarëve të vet besnikë, sepse, qëllimi madhor mbetet fitorja e zgjedhjeve dhe vizionit të PDK-së”, ka shkruar Lladrovci.

Shkrimi i plotë i Lladrovcit:

PDK të hap dyert për partitë tjera, por, vetëm duke u shkrirë në PDK!

Më 14 shkurt, janë zgjedhjet nacionale. Zgjedhjet e shpeshta, edhe pse me qëllim të përparimit të shtetit, ndikojnë në ngadalësimin e shumë proceseve, zbatimin e projekteve, strategjive dhe proceset madhore të shtetit, si për njohjet edhe për integrimin në organizatat ndërkombëtare.

Duhet ta dimë se shtetet e forta e të konsoliduara, bëjnë zgjedhje çdo katër vjet. Uroj që kjo praktikë për zgjedhje të shpeshta në Kosovë, të mos përsëritet. Për këtë qëndrueshmëri të institucioneve të dala nga vota e qytetarëve, uroj të ketë bashkëpunim edhe përtej egove të individëve, të qeveris në mandatin e plotë katër vjeçar, sepse, Kosova duhet të jetë e para.

Në këto zgjedhje, deri më tash, PDK, për sa thuhet, do të garoj e vetme. Deri në afatin e fundit, ka mundësi të bëhet bashkëpunim edhe me parti tjera, pse jo. Lista e PDK-së, me gjithë integrimin e profileve të politikanëve të partive tjera, por, sipas mendimit tim, duhet të jetë e vetme, pa shtesa të partive tjera në listën zgjedhore.

Partitë politike janë të mirëseardhura në listën e përbashkët zgjedhore por vetëm duke u shkrirë brenda PDK-së. Kur pranohet partneriteti dhe bashkëpunimi i sinqertë për garën zgjedhore, atëherë emri është i rëndësisë më të vogël. Partitë politike që do të bëhen pjesë e listës tonë, asgjë nuk humbin para qytetarëve as para anëtarëve të vet besnikë, sepse, qëllimi madhor mbetet fitorja e zgjedhjeve dhe vizionit të PDK-së.

Po bashkëpunim dhe partneritet me parime programore, por, PDK duhet ta ketë në garë, vetëm emrin e vet. Jemi mjaftë të fuqishëm e të konsoliduar për ta dëshmuar se asnjë parti që na bashkohet nuk na fuqizon me emrin e vet, përkundrazi. Prandaj, konsideroj që secilit subjekt që i pëlqen programi ynë, duhet t’i pëlqej edhe emri, pa shtesa në emrin e vetëm, Partia Demokratike e Kosovës.

Uroj që secili anëtar, simpatizant dhe qytetar përkrahës i PDK-së, ta kuptojë seriozitetin e këtyre zgjedhjeve dhe të dalë në votime, për mandatin e plotë, katërvjeçar. Kosova ka nevojë për ecje më të shpejt në gjirin e shteteve më të zhvilluara me vizion, qëndrueshmëri dhe besim në vlerat e proklamuara të PDK-së, për më shumë se 20 vjet.

Vlera dhe fuqia e PDK-së është dëshmuar në shtetndërtim, andaj, edhe në këto zgjedhje do të rikonfirmohet rroli prijës i saj, për Kosovën e vlerave euro-atlantike!

Kategoritë
LajmeVendi