LOD Pekin 2022/Përfundoi në Top 30, flet skitari Albin Tahiri

Skitari kosovar Albin Tahiri, i cili po merr pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore Pekin 2022, ka përfunduar në mesin e 30 më të mirëve nga 89 garues në disiplinën e sllallomit të madh.

Tahiri arriti një tjetër synim për të hyrë në 30 më të mirët në LOD Pekin 2022, pas suksesit ku e arriti vendin e 15 në garën kombinim alpin, përcjell KosovaPress.

Në lëshimin e tij të parë, skitari kosovar përfundoi i 37 në renditje, ndërkaq në fund ishte në Top 30 më të mirët.

Me këtë arritje, Tahiri tregoi që gara ishte tejet e vështirë për shkak të motit jo të mirë, ndërsa u shpreh i lumtur të jetë në Top 30.

“Jam i lumtur që hyra sërish në top 30, sidomos pasi u lëshova i 73-ti në një shteg tejet të vështirë”, tha Tahiri.

“Po ndihem shumë mirë. Gara ishte shumë e vështirë për shkak të kohës. U mundova shumë të qëndrojë në shteg. Në lëshimin e parë bëra një gabim të madh, por mbërriva në fund, ndërsa në të dytën u ndjeva shumë mirë. Ishte shumë vështirë, por të jem në top 30, jam vërtetë shumë i lumtur për këtë”, tha skitari kosovar.

Gara e radhës për Albin Tahirin do të jetë me 16 shkurt, ku skitari kosovar do të garojë në disiplinën e sllallomit.

Kategoritë
Sport