Lufta bashkon dy motrat ukrainase pas 20 vitesh

Një histori emocionuese e dy motrave të ndara prej 20 vitesh, që gjetën rrugën tek njëra-tjetra prej luftës që po ndodh në Ukrainë.

E adoptuar që në moshën 8 vjeçare, Tatjana ndodhej në Spanjë, 2000 km larg Ukrainës kur filloi lufta. Megjithatë largësia nuk e pengoi atë që t’i kërkonte motrës së saj, Angelika të bashkohej me të.

Të qarat nga gëzimi shoqëruan motrat gjatë takimit të tyre të cilat kishin vite që planifikonin të takoheshin. Të dyja të rraskapitura, njëra nga puna e vonë dhe tjetra nga udhëtimi 36 orësh nga Ukraina, ato u takuan në Katalonjë.

“Ishte një moment sa i bukur aq edhe i trishtueshëm. Po shihja motrën time pas 20 vitesh, por nga ana tjetër kisha lënë familjen dhe miqtë në luftë”, është shprehur Angelika 24 vjece.

Vajzat i kaluan vitet e para në një fshat të Ukrainës jugore dhe u rritën vetëm nga nëna e tyre.

Jeta e vështirë i detyroi motrat të ndahen ku Angelika u dërgua tek tezja, ndërsa Tatjana tek gjyshja e saj nga ku do të përfundonte në kujdes shtetëror më pas.

Tatjana ende e kujton momentin e ndarjes nga e motra:

“Ne donim shumë të ishim me njëra-tjetrën, por tezja e kishte të pamundur të na mbante të dyja”, ka thënë ajo.

Tatjana në moshën 8 vjeçare u birësua nga një familje në një qytet afër Barcelonës.

Pavarësisht se u largua nga vendi i saj, ajo gjithmonë mendonte për të dhe motrën e saj.

“Kam menduar gjithmonë se do të shkoj në Ukrainë dhe do ta gjej motrën time”, ka thënë Tatjana.

Vajzat gjatë këtyre viteve e kanë kërkuar njëra-tjetrën në rrjetet sociale.

Tani motrat po jetojnë në apartamentin e Tatjanës ku mungesa e njohjes së gjuhës nuk i pengon ato për të folur e komunikuar me njëra-tjetrën. Gjestet, fjalori i përbashkët dhe Google Translate janë bërë të pandashëm me to.

Kategoritë
BotaLajme