Lufta për pavarësi e Algjerisë/ Franca deklasifikon dokumentet, Macron: Francezët duan ta shohin historinë si ka qenë

Francezët duan ta shohin historinë ashtu si ka qenë për t’i çelur rrugën të ardhmes, tha presidenti francez Macron ndërsa nënshkroi për deklasifikimin e disa dokumenteve të ministrisë së Mbrojtjes. Dosjet e arkivuara kanë të bëjnë me luftën për pavarësi në Algjeri dhe vende të tjera afrikane. Deklasifikimi i këtyre dosjeve ka ngjallur polemika në Francë.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka urdhëruar deklasifikimin e dokumenteve të ministrisë së Mbrojtjes deri në 1971, të cilat përfshijnë periudhat e trazuara të dekolonizimit francez në Afrikë, siç është edhe Lufta Algjeriane për pavarësi, nga viti 1954 deri në vitin 1962.

“Presidenti ka marrë këshillën e komunitetit universitar që kërkon qasje më të lehtë te dokumentet arkivore që janë mbi 50 vjeçarë “, thuhej në deklaratën e lëshuar nga Pallati Elysee.

Ky qendrim i Maronit ka ngjallur polemika në Francë, pasi shumë francezë ende e konsiderojnë se zbulimi i asaj që ndodhi me dekolonizimin dhe luftën në Algjeri tregon mosrespekt për ushtarët francezë që morën pjesë në luftime.

“Vetëm shikimi në fytyrë i historisë dhe njohja e fakteve të vërteta do të na lejojë t’i mbyllim plagët që janë ende të hapura. Kjo do të ndihmojë në çeljen e rrugës për të ardhmen,” tha presidenti francez për polemikat e shkaktuara.

Për të siguruar që deklasifikimi të përfundojë para verës, Macroni autorizoi që deklasifikimi të bëhet me dosje dhe jo fletë-pas-flete. Sipas analistëve ky vendim synon të shkurtojë kohën e pritjes, veçanërisht në lidhje me dokumentet që lidhen me luftën e Algjerisë.

Duke folur në emër të shtetit francez, Macron pranoi më herët se avokati algjerian Ali Boumendjel ishte torturuar dhe vrarë në vitin 1957. Më parë, versioni zyrtar deklaronte se ai kishte kryer vetëvrasje.

Vendimi për të deklasifikuar dokumentet sekrete vjen pasi historiani Benjamin Stora, një nga autoritetet më në zë për historinë e Afrikës së Veriut, paraqiti një raport mbi kolonizimin dhe luftën në Algjeri.

Lufta algjeriane për pavarësi nga Franca zgjati nga viti 1954 deri më 1962-shin. Konflikti tetë vjeçar shkaktoi rënien e gjashtë kryeministrave francezë dhe shembjen e Republikës së Katërt.

Lufta rezultoi në vdekjen e të paktën një milion algjerianëve dhe eksodin e po aq kolonëve europianë. Ishte e fundit e “luftave koloniale” të stilit të vjetër dhe e para nga ato që do të njiheshin si luftërat për dekolonizim.

Kategoritë
BotaLajme