Lumenjtë e egër dhe rezervatet e Ballkanit po mbulohen nga plehrat

Lumenjtë e egër dhe rezervatet natyrore të Ballkanit Perëndimor janë ndër veçantitë e kontinentit, por menaxhimi i dobët i mbetjeve mbetet një problematikë rajonale.

Shirat e dendur të janarit dhe përmbytjet që pasuan nxorën në pah problemin e kahershëm të hedhurinave në rrugë, dhe përfundimin e tyre në grykëderdhjet lokale.

“Këtu në hidrocentralin serb të Potpekut, vlerësojmë se poshtë digës kemi rreth 8 mijë metra kub mbeturina. Në lumin e Limit, kaq shumë plehra nuk i kemi parë as në dy vite bashkë. Janë grumbulluar të gjitha ato që hedhin njerëzit nëpër rrugë,” tha Predrag Saponjic, drejtor i hidrocentralit në lumin Lim.

Situata nuk është e izoluar vetëm në Serbi, pas lumi Lim rrjedh edhe në Malin e Zi e kjo problematikë raportohet edhe në lumin piktoresk të Drinës në lindje të Bosnjës.

“Jam rritur këtu. Kam 7 fëmijë dhe më vjen keq që nuk i nxjerr dot për peshkim apo për të bërë plazh gjatë verës. Është i papastër, i shëmtuar,” tha një banor.

“Është problem për ne, ambientalistët, për pushtetin lokal, po nuk jemi ne përgjegjësit,” tha aktivisti Sinisa Lakovic.

Buxhetet e ulëta për menaxhimin e mbetjeve, infrastruktura e riciklimit dhe mos adresimi i krizës nga autoritetet, janë më të dukshme në rrugët rurale dhe në rrethinat e qyteteve ballkanike.

Në Maqedoninë Veriore, landfilli i Vardarishtës në lindje të Shkupit u mbyll 26 vite më parë.

Tani ai është rikthyer në një vend depozitim ilegal rreth 17 hektarë i gjerë ku hidhen plastika, pjesë metalike dhe ku smog-u i atyre që digjen, arrin deri në kryeqytet.

“Hedhja jo e duhur e mbeturinave dhe numri i i lartë i landfilleve të paligjshme po ndot ambientin dhe po rrezikon shëndetin e njerëzve,” tha Dejan Dimitrovski, aktivist mjedisor dhe anëtar i këshillit në komunën Gazi Baba.

Edhe Kosova mësohet se vuan nga menaxhimi i mbetjeve dhe vetëm gjysma e gati 2 milionë banorëve marrin shërbimin e pastrimit të mbetjeve urbane.

Ndërkohë, një raport i fundit i qeverisë zbuloi se numri i vend-depozitimeve ilegale u rrit me 60 për qind nga 2016-ta në 2019-ën.

Kategoritë
LajmeRajoni