Macron: Nëse vendosim të mos flasim me Putinin, negociatorët do të jenë Turqia ose Kina

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, deklaroi të premten se presidenti i Turqisë ose presidenti i Kinës do të jenë negociatorët nëse Evropa merr vendim për të mos folur me Putinin.

Kjo deklaratë e Emmanuel Macronit erdhi gjatë një interviste për radion “France Inter”, ku ai bëri vlerësime në lidhje me rendin e ditës.

Duke u thënë se do të vazhdojë të bisedojë me Putinin, me të cilin ka kohë që nuk ka folur në telefon, Macroni tërhoqi vëmendjen mbi faktin se për të hyrë në qytetin ukrainas të Mariupolit duhet biseduar me udhëheqësin rus.

“Është detyra jonë të vazhdojmë të flasim me të. Nëse kjo do të shpëtonte jetën e disa njerëzve, është e domosdoshme të bisedojmë me të. Unë gjithmonë kam folur me Presidentin Putin në mënyrë transparente dhe kërkuese. Në një pikë të caktuar, armëpushimi duhet të hartohet dhe Evropa duhet të jetë rreth tavolinës (së bisedimeve). Por nëse ne vendosim të mos flasim me Putinin, negociatorët do të jenë Presidenti i Turqisë (Recep Tayyip Erdogan) ose Presidenti i Kinës (Xi Jinping)”, theksoi ai.

Macroni nënvizoi gjithashtu se lufta Rusi-Ukrainë nuk ka zgjidhje ushtarake, pasi “të përzgjedhës rrugën ushtarake do të thotë të preferosh luftën e tretë botërore”.

Ndërkaq, sipas tij, Ukraina nuk do të ishte në gjendje t’i bënte ballë Rusisë nëse Perëndimi nuk do ta ndihmonte me armë.

Kurse gjatë një interviste për të përditshmen italiane “Corriere della Sera”, përpara raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale franceze të së dielës (24 prill 2022), Emmanuel Macron tha se Rusia ka treguar një gatishmëri të qartë për të përshkallëzuar luftën në Ukrainë.

Presidenti francez vuri në pah se pret që lufta të përkeqësohet në prag të 9 majit, një datë simbolike e njohur si Dita e Fitores në Rusi.

“Me një sy nga 9 maji, Rusia do të intensifikojë sulmet e saj në rajonet lindore të Ukrainës dhe ne do të duhet të marrim vendime”, u shpreh ai duke iu referuar mundësisë së sanksioneve të mëtejshme të Bashkimit Evropian ndaj Moskës, por shtoi se nuk është “ende” koha për një embargo ndaj naftës dhe gazit rus.

Sipas liderit francez, “duke marrë parasysh krimet e luftës që tani janë konfirmuar, zgjedhjet e bëra nga Rusia, mënyrën se si ajo e zhvilloi luftën në Donbas dhe Mariupol, provokimin (për të përdorur arsenalin) bërthamor dhe testet e kryera të mërkurën, Rusia ka treguar vullnet të qartë për një përshkallëzim”.

Kategoritë
BotaLajme