Macron refuzon të përdorë shprehjen “kasap” për Putinin

Presidenti francez deklaroi se duan të ndalojnë luftën që Rusia filloi në Ukrainë, por tha se duke e bërë këtë, “tensionet nuk duhet rritur me fjalë dhe vepra”

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se nuk do të përdorë shprehjen “kasap” për presidentin rus Vladimir Putin, sikurse presidenti amerikan Joe Biden, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë në kanalin France 3, Macron deklaroi se duan të ndalojnë luftën që Rusia filloi në Ukrainë, por tha se duke e bërë këtë, “tensionet nuk duhet rritur me fjalë dhe vepra”.

Ai tha se vazhdon të bisedojë me Putinin dhe se për të nuk do ta përdorë shprehjen “kasap”.

“Ne, si evropianë, nuk duhet të harrojmë gjeografinë dhe historinë tonë. Ne nuk jemi në luftë kundër popullit rus”, tha Macron.

Duke theksuar se Evropa nuk është e përfshirë në “luftën e ftohtë” mes Moskës dhe Washington-it, Macron tha se do të bisedojë me Putinin në telefon për organizimin e një operacioni humanitar në Mariupol të Ukrainës.

Ndryshe, presidenti amerikan Biden javën e kaluar e quajti Putinin “kasap” gjatë vizitës në kampin e refugjatëve ukrainas në Varshavë të Polonisë.

Kategoritë
BotaLajme