Maloku: Nuk kemi nevojë për terminologji kreative që përshkruan mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë

Qytetarët në Serbi do të shkojnë në kutitë e votimit më 3 prill për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale. Beogradi përmes bashkësisë ndërkombëtare, po u bënë presion autoriteteve të Republikës së Kosovës t’i mundësojnë serbëve të Kosovës të votojnë në zgjedhjet e Serbisë. Organizime të zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, janë mbajtur me 2008, 2012, 2014, 2016 si dhe me 2020.

Në lidhje me këtë, politologu Albinot Maloku thotë se, “që të gjitha këto procese me të drejtë nga ish opozita dhe njohësit e proceseve politike janë konsideruar si dëshmi që Kosova nuk po mund të mëvetësohet. Kësaj praktikë të gabuar e të vendosur ndër vite, iu dha formë pas vendimit të Qeverisë e cila u mbështet edhe nga Kuvendi i Kosovës me 15 janar të këtij viti, në rastin e pengimit të mbajtjes së referendumit kushtetues të Serbisë në Kosovë”.

Tutje ai shtonë se qytetarëve të Kosovës me dyshtetësi nuk mund të ju ndalohet shfrytëzimi i të drejtës së votimit, mirëpo kjo gjë duhet të bëhet siç bëhet në vendet sovrane. “Qytetarët e Kosovës me dyshtetësi, pra edhe me atë të Serbisë mund të votojnë në Zyrën Ndërlidhëse të Serbisë në Prishtinë, përmes postës ose duke votuar drejtpërdrejt në Serbi. Kështu respektohet sovraniteti i shtetit.”

Në fund, politologu Albinot Maloku, thotë se Qeveria e Kosovës nuk ka nevojë për gjetje kreative të terminologjisë për të përshkruar modelin e organizimit të mundshëm të zgjedhjeve të Serbisë, siç ka qenë praktikë që nuk e arsyeton vazhdimin e gabimit.

Kategoritë
LajmeVendi