Maqedoni e Veriut, 25 vite burg për “organizatorët e sulmit” ndaj kuvendit

Në këtë lëndë të akuzuar ishin edhe dy persona, ish-kryeministri Nikolla Gruevski dhe operativi i DSK-së, Nikolla Boshkovski. Meqë ata nuk janë të kapshëm për drejtësinë, kundër tyre nuk u zhvillua procedurë.

Ish-kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Trajko Velanoski, sot në Gjykatën Themelore penale u dënua me 6 vjet e 6 muaj burg, ish-ministrat Mile Janakievski dhe Spire Ristovski me 6 vjet e 3 muaj burg, ndërsa ish-drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK) Vlladimir Atanasovski me 6 vjet burgim për “kërcënim terrorist ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë”, për organizimin e sulmit mbi kuvend më 27 prill të vitit 2017, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në këtë lëndë të akuzuar ishin edhe dy persona, ish-kryeministri Nikolla Gruevski dhe operativi i DSK-së, Nikolla Boshkovski. Meqë ata nuk janë të kapshëm për drejtësinë, kundër tyre nuk u zhvillua procedurë.

Para se t’i lexojë aktvendimet, gjykatësi arsyetoi aktvendimin, ku në të sqaroi se nëdonëse partia në pushtet atë kohë dhe të akuzuarit pohonin se nuk kanë kurrfarë lidhje me organizimin e protestave që kulminuan me sulm ndaj kuvendit me 27 prill, dëshmitë e treguan të kundërtën.

Konkretisht, Trajko Velanovski, si kryesues i kuvendit, ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me Nikolla Gruevskin. Me qëllim ka anuluar zgjedhjen e kryetarit të ri të kuvendit, gjegjësisht ka parandaluar pranim-dorëzimin e qetë të pushtetit. Spiro Ristovski dhe Mile Janakievski, nga ana tjetër, në mënyrë aktive kanë marrë pjesë në organizimin e protestave që në opinion u prezantuan si qytetare. Roli i të akuzuarit Vlladimir Atanasovski, ish-drejtor i DSK-së, ka qenë t’i koordinojë shoqatat patriotike dhe të kujdeset që të mos ketë mjaftueshëm polic para dhe në parlament, sipas aktvendimit.

Sipas Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, të akuzuarit e dinin saktësisht se çfarë po bënin dhe kanë bërë çmos me qëllimin e vetëm për të parandaluar formimin e qeverisë së re nga shumica e re parlamentare që tashmë ishte siguruar.

Rikujtojmë se më 27 prill të vitit të kaluar, pas zgjedhjes së Talat Xhaferit për kryetar të kuvendit në një situatë kaotike, demonstrantët të cilët ishin mbledhur para godinës së parlamentit, hynë me forcë në shtëpinë ligjvënëse.

Si rezultat i dhunës nga ana e demonstruesve ndaj deputetëve u lënduan rreth 100 persona, përfshirë deputetë, policë dhe përfaqësues të mediave.

Kategoritë
LajmeRajoni