Maqedoni e Veriut, Qeveria shpall 3 ditë zie pas tragjedisë në Tetovë

Ditët e zisë janë shpallur sot, nesër dhe pasnesër (e enjte, e premte dhe e shtunë) ndërsa gjatë ditëve të zisë flamuri i Maqedonisë së Veriut do të ulet në gjysmë-shtizë

Me një minutë heshtje në shenjë respekti për viktimat e zjarrit tragjik në qendrën modulare për COVID-19 në spitalin e Tetovës dhe në shenjë mbështetjeje me familjet e tyre, Qeveria e Maqedonisë së Veriut sot në seancën e jashtëzakonshme vendosi të shpallë 3 ditë zie, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim nga Qeveria, ditët e zisë janë shpallur sot, nesër dhe pasnesër (e enjte, e premte dhe e shtunë) ndërsa gjatë ditëve të zisë flamuri i Republikës së Maqedonisë së Veriut do të ulet në gjysmë-shtizë.

Qeveria u bën apel të gjithë aktorët shoqërorë që të shtyjnë të gjitha festimet publike dhe private, ahengje, ngjarje kulturore, artistike dhe sportive, partiake dhe lloje të tjera promovimesh të planifikuara për këto 3 ditë.

Në këtë seancë, siç theksohet në deklaratë, ministrat e Brendshëm dhe të Shëndetësisë informuan për situatën aktuale të zjarrit me pasoja tragjike dhe potencuan se inspektimi për përcaktimin e shkaqeve vazhdon edhe sot.

Në këtë drejtim, Qeveria miratoi një përfundim me rekomandim që ekipet e ekspertëve të Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Shëndetësisë të vihen në dispozicion maksimal të Prokurorisë në procedurat hetimore.

Ndër të tjera, Qeveria udhëzoi institucionet kompetente që të përcaktojnë se çfarë lloj ndihme dhe mbështetje shtesë nevojitet për familjet e viktimave dhe të plagosurve, në mënyrë që ajo të ofrohet në kohën më të shkurtër të mundshme.

Sipas deklaratës me shkrim, Qeveria falënderon të gjitha vendet e rajonit, Evropës dhe botës, për ngushëllimet e shprehura për ngjarjen tragjike dhe vendosi të pranojë ofertën e disa aleatëve të NATO-s për të dërguar ekspertë të nivelit më të lartë të shkallës së ekspertizës për hetimet e zjarrit për të ndihmuar në përcaktimin e shkaqeve të zjarrit në qendrën modulare për COVID-19 në spitalin e Tetovës.

Kategoritë
LajmeRajoni