Maqedoni e Veriut, zbulohet rasti i parë me variantin britanik të koronavirusit

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut njoftoi se është zbuluar mutacioni britanik i koronavirusit, që është rasti i parë me këtë variant në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ministria e Shëndetësisë informon opinionin publik se sot, gjatë analizës së të dhënave nga pacientët pozitivë në janar, në një laborator privat për gjenetikë dhe mjekësi të personalizuar në klinikën ‘Zhan Mitrev’, u zbulua mutacioni i llojit britanik të virusit SarsCov2 në një mostër. Bëhet fjalë për një burrë 46-vjeçar i cili tashmë është shëruar, konkretisht, në bazën e të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, pacienti nga 22 janari 2021 figuron si i shëruar”, tha ministria në një deklaratë.

Sipas informacioneve nga Instituti i Shëndetit Publik, pacienti iu nënshtrua testit të shpejtë për herë të parë më 29 dhjetor 2020, për shkak të etheve dhe frymëmarrjes së rënduar.

“Testi rezultoi pozitiv. Disa ditë më vonë, më 4 janar 2021, ai u paraqit për kontroll në spitalin privat ‘Zhan Mitrev’, ku iu nënshtrua një testi PCR, i cili ishte pozitiv, dhe pacienti u shtrua menjëherë në spitalin privat. Më 15 janar, u krye një tjetër test, i cili ishte përsëri pozitiv”, informoi Ministria e Shëndetësisë.

Siç thuhet, në anketën epidemiologjike pacienti nuk ka raportuar ndonjë kontakt dhe nuk ka deklaruar të ketë udhëtuar jashtë vendit.

“Në laboratorin në spitalin ‘Zhan Mitrev’, me një metodë të veçantë PCR, u përcaktua se pacienti ishte i dyshimtë për një mutacion të virusit, kurse më pas u bë sekuencim i izolatit. Sipas informacionit që ata i përcollën Ministrisë së Shëndetësisë, të gjitha mutacionet që përcaktojnë llojin britanik janë identifikuar në izolatin e këtij pacienti. Në mostrat e tjera të analizuara në laboratorin privat nuk u zbulua lloji britanik i SarsCov2”, theksohet në deklaratë.

Ndryshe, autoritetet e Britanisë më herët kanë thënë se rritja e numrit të të infektuarve dhe të vdekurve në këtë vend është për shkak të shfaqjes së variantit të ri të koronavirusit që po përhapet 70 për qind më shpejt.

Kategoritë
LajmeRajoni