Maqedonia e Veriut eliminon Italinë nga kualifikimet për Botërorin 2022

Me këtë fitore ndaj Italisë, “verdhekuqtë” tani do të përballen në finale me Portugalinë. Nëse fitojnë, kjo do të thotë kualifikim në Kupën e Botës, që do të ishte pjesëmarrja e parë e kombëtares në një botëror.

Kombëtarja e Maqedonisë në futboll ka mposhtur me rezultat 0:1 kampionin e Evropës, Italinë, në gjysmëfinalen e plejofit të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës Katar 2022.

Në kohën shtesë të pjesës së dytë, sulmuesi Aleksandar Trajkovski dërgoi një goditje nga 25 metra dhe portieri italian Donaruma ishte i pafuqishëm për të mbrojtur goditjen e saktë të tij.

Të përzgjedhurit e trajnerit Bllagoja Milevski gjatë gjithë ndeshjes luajtën me kujdes në mbrojtje dhe krijuan disa kundërsulme përmes të cilave tentuan të përfitojnë kundër kampionit evropian të futbollit, Italisë. Italianët sulmonin vazhdimisht, por portieri Stole Dimitrievski ofroi një performim të mirë duke arritur të mbronte goditjet e drejtuara në portën e tij.

Me këtë fitore ndaj Italisë në ndeshjen që u luajt në stadiumin “Renzo Barbera” të Palermos, “verdhekuqtë” tani do të përballen në finale me Portugalinë, e cila në ndeshjen tjetër të gjysmëfinales mposhti Turqinë 3-1.

Nëse kombëtarja e Maqedonisë së Veriut fiton në finale, kjo do të thotë kualifikim në Kupën e Botës, që do të ishte pjesëmarrja e parë e kombëtares në një botëror.

– Kreu shtetëror uron për fitoren e kombëtares ndaj Italisë

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook ka dërguar urim me këtë rast.

“Heronjtë tanë të futbollit tashmë kanë shkruar historinë e futbollit maqedonas. Urime fitoren, sakrificën, guximin dhe shpirtin luftarak në ndeshjen e kombëtares sonë të futbollit të Maqedonisë së Veriut ndaj kundërshtarit të fortë. Një hap më afër Katarit, ju jemi mirënjohës për gëzimin që po na jepni”, ka shkruar ai.

Pendarovski ka postuar edhe një mesazh urimi në llogarinë e tij në Twitter, duke etiketuar futbollistin portugez Cristiano Ronaldo si më poshtë: “Cristiano, bëhu gati, është radha jote”.

Ndër të tjera, me këtë rast ka uruar kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, i cili në profilin e tij në Facebook ka shkruar: “Çfarë sensacioni! “Ju lumtë djema, ju lumtë!”.

“Ju jeni heronj të vërtetë, sonte treguat se çfarë do të thotë të jesh luftarak, dëshira, këmbëngulja! Një fitore e pabesueshme që është rezultat i shumë punë dhe mundit, por mbi të gjitha dashurisë për fanellën e kombëtares. Urime trajnerit Milevski dhe gjithë skuadrës, nuk do ta harrojmë kurrë këtë mbrëmje. Faleminderit!”, shtoi Kovaçevski.

Kategoritë
Sport