Maqedonia e Veriut heq mbajtjen e detyrueshme të maskave mbrojtëse në ambiente të mbyllura

Në njoftim theksohet se ndër masat që po shfuqizohen është edhe masa e izolimit të detyrueshëm të personave që kanë pasur kontakt të afërt me persona pozitiv me COVID-19

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se ka hequr mbajtjen e detyrueshme të maskave mbrojtëse në ambiente të mbyllura, me disa përjashtime, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin e qeverisë thuhet se në seancën e saj të 37-të ka pranuar rekomandimet e Komisionit për Sëmundje Infektive të përcaktuara nga Shtabi i Përgjithshëm Koordinues i Krizave.

Sipas këtyre rekomandimeve, qeveria shfuqizoi mbajtjen e detyrueshme të maskave mbrojtëse në ambiente të mbyllura, me përjashtim në objektet shëndetësore, transportin publik, farmaci, si dhe në shtëpitë e të moshuarve dhe të personave me aftësi të kufizuara.

“Lidhur me këtë, edhe pse është hequr mbajtja e maskave në ambiente të mbyllura, qeveria fuqishëm pohon rekomandimin që maskat në ambiente të mbyllura të mbahen nga personat mbi 65-vjeç, të sëmurët kronik dhe persona me imunitet të reduktuar. Sipas rekomandimeve, hiqet detyrimi për mbajtjen e maskave gjatë edukatës fizike në shkollat e mesme, si dhe ndalimi i organizimit të ekskursioneve dhe mësimit në natyrë”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Në njoftim theksohet se ndër masat që po shfuqizohen është edhe masa e izolimit të detyrueshëm të personave që kanë pasur kontakt të afërt me persona pozitiv me COVID-19, për të cilin masa për mbajtjen e maskës mbrojtëse në ambiente të mbyllura mbetet 7 ditë që nga kontakti i fundit me personin e infektuar me COVID-19.

Më tej, theksohet se vendimet nga seanca e sotme qeveritare do të hyjnë në fuqi ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare.

Kategoritë
LajmeRajoni