Maqedonia e Veriut siguron qëndrim të përkohshëm për 14 afganë të tjerë

Në Maqedoninë e Veriut aktualisht gjenden 568 shtetas afganë, ndërsa 85 janë larguar nga vendi pasi shtete të tjera u kanë siguruar qëndrim të përhershëm.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit kanë arritur edhe 14 qytetarë të Afganistanit, të punësuar me agjencitë e Kombeve të Bashkuara, si dhe anëtarët e familjeve të tyre.

Në njoftimin e Qeverisë thuhet se bëhet fjalë për persona pro-demokratikë që janë në rrezik nga talebanët, duke shtuar se ata do të qëndrojnë në Maqedoninë e Veriut përkohësisht, deri në transportimin e tyre në një vend të tretë.

“Me këtë, vendi vazhdon rolin aktiv në operacionin ndërkombëtar për ndihmë të qytetarëve në Afganistan”, theksohet në njoftim, ku shtohet se pas arritjes së shtetasve afganë, janë zbatuar procedurat standarde e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe ato te Covid-19.

Nga qeveria informojnë se personat do të vendosen në Shkup, ndërsa harxhimet për qëndrimin e tyre do të mbulohen nga OKB.

Nga vendi janë larguar deri tani 85 shtetas afganë të cilëve u kanë siguruar qëndrim të përhershëm Franca, Greqia, Irlanda, Portugalia, Brazili dhe SHBA.

Kategoritë
LajmeRajoni