Maria Zakharova: Rusia do të detyrohet të reagojë nëse Finlanda dhe Suedia anëtarësohen në NATO

Rusia paralajmëroi të premten se do të ketë pasoja të rënda ushtarako-politike nëse Suedia dhe Finlanda vendosin të bëhen anëtare e NATO-s.

Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, bëri deklarata në lidhje me anëtarësimin e mundshëm të Finlandës dhe Suedisë në NATO gjatë një konference për shtyp në Moskë.

Ajo tha se të gjitha vendet anëtare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), përfshi këtu Finlandën dhe Suedinë, kanë miratuar parimin se siguria e një vendi nuk mund të ndërtohet në kurriz të sigurisë së një vendi tjetër.

Sipas saj, pranimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO, e cila është kryesisht një aleancë ushtarake, do të kishte pasoja të rënda si në aspektin ushtarak ashtu edhe në atë politik.

“Në rast të një vendimi tjetër, Rusia do të detyrohet të reagojë”, theksoi Maria Zakharova.

Të enjten, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ftoi Suedinë dhe Finlandën të marrin pjesë në një samit virtual të NATO-s.

Po të njëjtën ditë, Kryeministrja finlandeze, Sanna Marin, deklaroi se vendi i saj do të jetë i gatshëm të anëtarësohet në NATO “nëse i kërcënohet siguria kombëtare”.

Kategoritë
BotaLajme