MASHTI nuk e ka në plan rishikimin e udhëzimit administrativ që ndalon bartjen e uniformes fetare në shkolla

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) aktualisht nuk ka në plan që rishikojë udhëzimin administrativ i cili ndër të tjera e ndalon bartjen e uniformës fetare në shkolla, ka thënë kështu zëvendësministri Dukagjin Pupovci. Megjithatë, ai ka shtuar se të gjithë fëmijëve duhet t’u mundësohet vijimi i mësimit në shkolla.

Në konferencën e rregullt javore për media derisa është pyetur nëse MAShT e ka në plan të ndryshojë udhëzimin administrativ, Pupovci e ka mohuar një gjë të tillë.

Ai ka thënë që të gjithë fëmijëve duhet t’u mundësohet shkuarja në shkollë

“Këto udhëzime janë të pranishme prej vitit 2008, ju po referoheni versionit të fundit të vitit 2014 ku njëra ndër ndalesat, krahas telefonit celular, veshjeve ekstravagante e kështu me radhë është edhe bartja e uniformës fetare, do të thotë thjeshtë është çështja të interpretimi i asaj që ne e konsiderojmë si uniformë fetare. Tani është një pikëpyetje e madhe se në çfarë mase është shamia pjesë e uniformës fetare, por një gjë e kemi qëndrim kategorik që të gjithë fëmijëve duhet t’u mundësohet shkuarja në shkollë dhe ashtu është duke u vepruar”, ka thënë ai.

Ndër të tjera, zëvendësministri i Arsimit ka thënë se më 7 prill janë shpallur rezultat preliminare te përzgjedhjeve të teksteve shkollore të klasave të katërta dhe nënta për vitin e ardhshëm shkollor.

Tani sipas tij është periudha e ankesave para se ato të aprovohen,

Ai ka thënë se në proces të vlerësimit kanë hyrë 77 dorëshkrime në gjuhën shqipe, tri në gjuhën turke dhe pesë në gjuhën boshnjake.

Ai ka thënë se me partnerët zhvillimor janë ndarë grante për katër koncorsiume që kanë arritur të përfitojnë shumën prej 2 milionë euro.

Gjithashtu ai ka bërë të ditur se janë nënshkruar 16 kontrata pune me nxënësit e Qendrës së Kompetencës në Skenderaj për zbatimin e mësimit dual në një kompani duke shtuar se kjo është parakusht për fillimin mësimit dual nga viti i ardhshëm shkollor.

Kategoritë
LajmeVendi